Policia greke godet rrjetin e transportit të migrantëve drejt Shqipërisë

Policia greke arrestoi të hënën 14 persona që akuzohen si anëtarë të një rrjeti që organizonte kontrabandimin e migrantëve të huaj të parregullt nga territori grek drejt Shqipërisë.

Sipas burimeve policore greke mes të arrestuarve janë 7 policë të hetuar nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Policisë në Greqinë Veriore.

Njësitë e policisë greke po kryejnë kontrolle në banesa në qytete të ndryshme, kryesisht në Follorine dhe Kostur në prani të prokurorëve, për të identifikuar provat lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit.

Të martën të arrestuarit do të sillen në prokurorinë e Kosturit për t`u përballur me akuzat, thanë burimet policore greke.

Trafiku i migrantëve të huaj parregullt nga Greqia drejt Shqipërisë me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Evropian ka njohur rritje sidomos dy vitet e fundit.

Një raport i Organizatës Evropiane të Ruajtjes së Kufijve FRONTEX, publikuar javën e shkuar, pohonte se vetëm gjatë muajit shtator të këtij viti numri i migrantëve të huaj të bllokuar në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian përmes rrugës ballkanike ishte dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.