Policia gjobitë dy shoferë në Ferizaj për tejkalim të shpejtësisë

Policia e stacionit në Ferizaj ka gjobitur dy shoferë gjatë ditës së shtunë, për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.

Sipas njoftimit, rreth orës 13:30 është ndaluar shoferi i cili me automjetin e udhëtarëve ka shkaktuar kundërvajtje në komunikacion, tejkalim i shpejtësisë në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, ku në zonën e kufizimit 40 km/h ka zhvilluar shpejtësi 74 km/h.

“Në lidhje me këtë policia, ndaj shoferit me inicialet A.M (M/K) i moshës 44 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe gjashtë (6) muaj masë mbrojtëse (heqje e patentë shoferit). Ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar”, thuhet në komunikatën për media.

Në po të njëjtën rrugë, policia njofton se ka ndaluar shoferin tjetër me inicialet E.S (M/K) i moshës 22 vjeçar, i cili ka shkaktuar kundërvajtje duke drejtuar me shpejtësi 82 km/h në zonën e kufizimit 40 km/h.

“Për këtë policia i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe gjashtë (6) muaj masë mbrojtëse (heqje e patentë shoferit). Edhe ky e pranoi në tërësi kundërvajtjen e shkaktuar”, thuhet tutje.

Me këtë rast, Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes.

“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë, për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”.