darknet

Policia gjermane hap dyert e bunkerit të vjetër, brenda pesë kateve kishte dymijë kompjuterë, aty kryheshin punë të jashtëligjshme

Kur pjesëtarët e njësive speciale të policisë gjermane GSG 9, arritën të kalojnë përmes sistemeve elektronike të sigurisë dhe të hapin dyert e blinduara të bunkerit në qytezën Traben-Trarbah në perëndim të Gjermanisë, ata i priste një befasi: në katin mbi sipërfaqe të tokës dhe katër tjerë nën tokë në bunkerin e dikurshëm të Bundesverit ishin 2,000 kompjuterë të lidhur me njëri-tjetrin.

Bëhet fjalë për bazën më të madhe të serverëve të Darnknetit që ndonjëherë është zbuluar në Gjermani. Njihej si “Bulletproof Hoster”. Përmes këtyre serverëve kriminelët nga e mbarë bota në ueb-faqe të fshehura të internetit kanë shitur gjithçka që është e ndaluar, drogë, armë, para të falsifikuara dhe materiale pornografike me fëmijë. Bëhet fjalë për një sërë krimesh.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë rreth 650 policë, me ç’rast janë arrestuar 7 nga 13 të akuzuarit, kurse bastisje të apartamenteve ka pasur në Luksemburg, Holandë dhe Poloni. Raportohet se hetimet kishin filluar pesë vite më parë, e sipas policisë sfidë për ta ishte futja në bunker.

Bëhet fjalë për një hapësirë prej 13 mijë metra katrorë që ishte e rrethuar me tela gjembor, i siguruar me kamera, kurse brenda telave qëndronin qentë që bënin roje. E dera e hyrjes kishte një kod digjital.

Përmes serverit “cyberbunker” janë kryer punë të ndryshme të platformës së Darknetit siç ishte shitja e drogës. Ndërsa llogarinë e “Wallstreet Market” policia gjermane ka arritur ta bllokoj qysh në muajin e maj. Vetëm përmes saj janë kryer me shumë se 250 mijë transaksione, duke arkëtuar kështu 41 milionë euro.

Aty funksiononin portalet ilegale për shitjen e drogës, kurse nga serverët e bunkerit është nisur sulmi i hakerëve ndaj 1,25 milionë ruterëve të telekomit gjerman në vitin 2016. Tani policia gjermane ka njoftuar se sulmi ishte kryer përmes kompjuterëve në bunker.

Për dallim nga interneti i “thjeshtë”, Darknet funksionon pa sistemin e “mesëm” – aty funksionon të njëjtën kohë kompjuteri dhe serveri, që megjithatë ndanë vetëm një pjesë të informatave – dhe atë në formë të koduar. Kështu edhe transmetimi i të dhënave është anonim nga kompjuterët e Darknetit, kurse është zbuluar edhe metoda e ashtuquajtur “caku i të dhënave”.

Derisa në internetin e rregullt ekzistojnë të dhënat se kush me kë ka komunikuar, cila është sasia e të dhënave që janë shkëmbyer dhe kur, në Darknet të dhënat dërgohen gjithmonë në tre kompjuterë në rrjet. Kjo do të thotë që çdo e dhënë në këtë mënyrë pranon tre herë adresën e re të dërguesit – diçka e pamundur të konfirmohet se prej nga vjen burimi i informacionit.

“Themelimi i një qendre të serverëve ligjërisht nuk është e kundërligjshme, edhe kur përmes këtyre serverëve kryhen punë ilegale”, shpjegon Jurgen Brauer nga Gjykata.

“Në fund të fundit, pronarët e serverëve janë pronarë vetëm të kompjuterëve, e çfarë bëjnë me ta të tjerët nuk duhet të jetë problem i tyre”, ka shtuar ai.

Por se sa do të zgjasin hetimet, tani për tani nuk dihet. Por, akteri kryesor i këtij krimi është një shtetas holandez, që deri më tani njihet me emrin Herman-Johan. Në vitin 2012 kishte shkuar në Traben-Trarbah dhe në një event me dyer të mbyllura për opinionin, ishte shprehur i interesuar për blerjen e bunkerit ushtarak.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë bunkerë nga koha e Adolf Hitlerit, por për një të ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë që ishte në dedikuar për Shërbimin e Gjeoinformatave, një lloj shërbimi meteorologjik i ushtrisë gjermane.

Në vitin 2007, ministri gjerman i Mbrojtjes vendosi që këtë shërbim ta vendos në një hapësirë tjetër, e bunkerin ta nxjerrin në shitje sa më shpejtë të jetë e mundur, kjo për faktin që mirëmbajtja e tij kishte kosto të lartë. Sistemi i ventilimit vazhdimisht duhej të mirëmbahej, kurse pompat duhet të garantonin që katër katet e nëndheshëm nuk do të vërshohen nga ujërat.

Kështu bunkeri kishte dalë në shitje, kurse ministria gjermane e Mbrojtjes kishte preferuar të ashtuquajturën “shitje të nxehtë” – ku përparësi kishin pasur personat që ishin të gatshëm të marrin gjithë infrastrukturën e IT-së që ishte brenda bunkerit.

E pikërisht këtë kusht të tyre e plotësonte Herman-Johan që kishte premtuar hapjen e 100 vende të reja të punës. I tërë kompleksi i bunkerit është blerë në vitin 2013 për 350 mijë euro. E sa i përket vendeve të reja të punës – nuk pati kurrfarë lëvizje, e për punët që qendra e tij merrej nuk ishte në dijeni askush. Dihej vetëm që ishte e pamundur t’i afrohen bunkerit.

Holandezi tashmë kishte një qendër të ngjashme të serverëve në vendlindjen e tij në një ish-bunker të NATO-s, ku në vitin 2002 kishte shpërthyer një zjarr i madh. Por, pasi ekipet e zjarrfikësve ishin futur brenda, kishin gjetur kompjuterë dhe laboratorë të përpunimit të drogës. Asokohe ishte arsyetuar se hapësirën ia kishte lëshuar me qira dikujt tjetër, dhe se nuk ishte në dijeni se çfarë aktivitetesh po zhvilloheshin brenda. Megjithatë disa muaj më pas ai e shiti kompleksin, e Herman-Johan, aktualisht gjendet në një burg gjerman.

loading…