“Mirëdita, dobar dan!”

Policia e Serbisë ndalon ekipin e Kosovës të “Mirëdita, dobar dan!” drejt Beogradit

Policia e Serbisë, ka ndaluar ekipin e Kosovës të “Mirdita, dobar dan!” drejt Beogradit. Pjesëtarë të stafit organizativ dhe mediash, nuk janë lejuar të vazhdojnë drejt kryeqytetit serb, ku sonte ishte paraparë hapja e edicionit të 11-të të festivalit.

“Kemi urdhër të mos ju lejojmë të hyni në Beograd”, ka qenë deklarata e policit, 25 kilometra pa arritur në destinacion.

Gjatë gjithë kohës, ekipi ka qenë në përcjellje te vazhdueshme të autoriteteve policore. Ne pikën kufitare në Merdarë, ka pasur kontrolle të detajuara.

Organizatorët kanë pasur leje për kalim sikurse dhe për festivalin. Por pluhuri rreth “Mirëdita, dobar dan!” ka javë që është ngritur dhe kanë qenë zyrtarët më të lartë shtetëror të Serbisë që kanë kërkuar anulimin e tij siç kanë nxitur edhe thirrjet për ta penguar atë.

Mediumi serb, Danas, ka raportuar se grupe huliganësh janë mbledhur në Beograd për të mos lejuar mbajtjen e këtij festivali.

Sofija Todoroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka thënë se një pjesë e pjesëmarrësve të festivalit nuk mund të mbërrijë deri te Dorcol Platz, për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm të policëve në terren dhe përreth këtij vendi.