Tensionet

Policia e Kosovës në gjendjen më të lartë të gatishmërisë në veri

Ditën e nesërme pritet të votohet transformimi i FSK-së në Ushtri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ky tranforimim është mbështetur nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët e kanë cilësuar krijimin e Ushtrisë si të drejtë legjitime të shtetit të Kosovës.

Pas reagimeve të shumta nga zyrtarë shtetërorë të Serbisë kundër transformimit të FSK-së në Ushtri, janë ngritur tensionet e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pasi që sipas Qeverisë së Kosovës, Ushtria e Kosovës nuk do të nënkuptonte kërcënim por mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja serbe, Ana Bernabiq kishin deklaruar se ushtria e Serbisë do të jetë e gatshme të mbrojë popullatën serbe në Kosovë në çdo rast.

Por kjo si duket nuk do të jetë e nevojshme. Mediat e huaja raportuan pro Ushtrisë së Kosovës dhe e cilësuan këtë si të drejtë legjitime të çdo shteti të pavarur në botë.

Pas spekulimeve të shumta se mund të ketë ndonjë ekses gjatë ditës së votimit të Ushtrisë, Policia e Kosovës është urdhëruar për të ngritur masat e sigurisë.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se forcat të mëdha të Policisë së Kosovës tashmë janë dislokuar në pjesën jugore të Mitrovicës.

Këtë lajm e ka konfirmuar për Ballkani.info edhe zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Hoti ka theksuar se në raste të tilla që cilësohen si të ndjeshme, Policia e Kosovës gjithmonë merr vendime për ngritjen e sigurisë në rajone të ndryshme.

“Si shumë herë të tjera, në çdo rast që cilësohet si i ndjeshëm dhe që mund të ketë ndonjë ekces të mundshëm, Policia e Kosovës merr vendim për shtimin e kapaciteteve prezente në vend. Kjo ndodh për të shtuar sigurinë e qytetarëve të vendit”, ka thënë Hoti për Ballkani.info.

Ballkani.info më herët ka raportuar për tendecat e Serbisë dhe strukturave serbe në veri për ta destabilizuar gjendjen. Ata tashmë i kanë edhe disa skenarë, mirëpo strukturat e sigurisë në Kosovë janë të përgatitura për çdo situatë. /Ballkani.info/