Policia e Kosovës konfirmon bashkëpunimin me policinë shqiptare për grabitjen milionëshe në Rinas

Janë bërë më shumë se dhjetë ditë që nga grabitja spektakolare në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Grabitësit, si duket mirë të informuar, kishin arritur që të largoheshin nga vendi i ngjarjes me milionat e vjedhura.

Njëri nga furgonët e policisë, kishte arritur ta identifikojë furgonin me të cilin ishte kryer grabitja duke iu vënë kështu në ndjekje, ku pati edhe shkëmbim zjarri dhe një person mbeti i vrarë.

Deri më tani, për grabitjen janë arrestuar pesë persona, përderisa njëri nga ta ka pranuar fajin dhe ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë.

Policia kishte bërë të ditur se janë ende në kërkim të disa personave të tjerë.

Sipas burimeve të Ballkani.info, për grabitjen në Rinas është në kërkim edhe një shtetas kosovar nga Gjakova, për të cilin ende nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga policia pasi që rasti është ende nën hetime.

LEXO EDHE: Për grabitjen e miliona eurove në Rinas, në kërkim edhe një kosovar?

Ballkani.info ka kontaktuar Policinë e Kosovës lidhur me rastin, ndërsa të njëjtit kanë konfirmuar bashkëpunimin me policinë shqiptare, por nuk kanë dhënë detaje specifike.

“Policia e Kosoves në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që ka me Policinë Shqiptare, edhe në rastin konkret ka bashkepunuar dhe shkëmbyer informacione, në drejtim të zbulimit të këtij rasti dhe autorëve”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Bazuar në hetimet e deritanishme, policia në Shqipëri ka thënë se janë siguruar prova të mjaftueshme për zbardhjen e ngjarjes. /Ballkani.info