Është nënshkruar marrëveshja policore mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe asaj të Italisë për parandalimin e krimit transnacional, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu ka njoftuar se këtë marrëveshje e ka nënshkruar me homologen e tij në Itali, Luciana Lamorgese.

“Kjo marrëveshje edhe më tutje do të forcoj përpjekjet tona të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit transnacional, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Kisha nderin që sot bashkë me Ministren e Punëve të Brendshme znj. Luciana Lamorgese të nënshkruajmë marrëveshjen për Bashkëpunim Policor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Italiane.

Kjo marrëveshje edhe më tutje do të forcoj përpjekjet tona të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit transnacional, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me strukturat e ndryshme të sigurisë së Republikës Italiane, shpreha përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një aleat dhe partner i tyre i besueshëm.

Gjithashtu, edhe një herë falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Italiane ka dhënë në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen në proceset integruese euro-atlantike.

Ministrja e Brendshme e Republikës Italiane znj. Lamorgese vlerësoi lartë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fushën e sigurisë dhe shprehu gatishmerinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në çështjet me interes të përbashkët, për sigurinë rajonale dhe atë Evropiane.