Policia e Kosovës arreston kriminelin serb të kërkuar nga autoritetet malazeze për vrasje të rëndë

Anëtari i arratisur i klanit serbo-malazez “Kavaç”, Sërgjo Jurisheviq, është arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në vrasjen e Nikola Stanishiqit, në Lovçen.

Drejtoria malazeze e Policisë (UP) ka njoftuar se Jurisheviq është arrestuar në Kosovë, pas disa muajsh shkëmbim intensiv dhe të vazhdueshëm të të dhënave operative: “të kryera ndërmjet njësisë kompetente të Sektorit Kundër Krimit të Drejtorisë së Policisë dhe shërbimeve kompetente të Kosovës, si pjesë e një kërkimi të synuar”.

“Ai fshihej në territorin e Kosovës me identitet të rremë. S.J. konsiderohet anëtar i grupit të organizuar kriminal në dosjet operative të Drejtorisë së Policisë. Atij i është hequr liria sipas urdhrit ndërkombëtar të Malit të Zi, të lëshuar nga BKK Interpol Podgoricë, dhe për të siguruar praninë e tij në procedimin penal që po zhvillohet ndaj tij pranë organeve gjyqësore të vendit tonë për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe veprës penale të vrasjes së rëndë”, njoftuan nga policia malazeze.

Ata saktësuan se Jurisheviq dyshohet se së bashku me persona të tjerë në vitin 2020 janë anëtarësuar në një organizatë kriminale e cila sipas planit kriminal ka planifikuar vrasjen e Stanishiqit.

“Dhe se ka marrë pjesë në veprimet që i paraprinë vrasjes së N.S. si dhe shlyerjen e gjurmëve të kësaj vepre penale pasi N.S. i privuar nga jeta”, kanë thënë nga drejtoria malazeze e policisë, raporton Vijesti i Podgoricës.