Policia dhe Inspektorati në aksion, dënojnë lokalet dhe qytetarët që nuk zbatojnë masat VIDEO

Policia e Kosovës dhe Inspektorati janë duke inspektuar lokalet në Prishtinë për të parë nëse po zbatohen masat e qeverisë kundër coronavirusit.

Ballkani.info ka siguruar video ku shihen forca të mëdha të policisë dhe inspektorët duke e gjobitur njërin nga lokalet në qendër të Prishtinës. Ata po ashtu kanë gjobitur edhe qytetarët që kanë qenë duke pirë kafe në afërsi të lokaleve.

Policia ua ka marrë dokumentet e identifikimit të gjithë qytetarëve që kanë qenë duke pirë kafe.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë ka miratuar masa të reja për parandalimin e mëtutjeshëm të përhapjes së coronavirusit të ri (COVID-19).

Masat e reja të cilat u miratuan në qeveri , parashohin 46 pika të ndryshme lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë të cilat erdhën si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve që u regjistruan gjatë ditëve të fundit si pasojë e COVID-19.

Qytetarëve në të gjithë territorin e Kosovës me vendimin e ri nuk do t’u lejohen lëvizja e lirë nga ora 10 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, përveç rasteve të natyrës urgjente.

Vendimi gjithashtu parasheh edhe që qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë të kenë test negativ për COVID-19.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit para-universitar do kalojnë në mësim “online” nga 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.