Policia deklarohet për gjuajtjen me armë zjarri në afërsi të kosovarëve në Zubin Potok

Rreth 50 persona pjesë e “Kosovo Mountain Club”, kanë shkuar në mënyrë për organizuar për të ecur në zonën e Zubin Potokut. Sipas organizatorëve, paraprakisht policia ka qenë e njoftuar për ecjen, por gjatë rrugës ata kanë hasur në dy persona që kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.

Pas incidentit grupi ka ndërruar destinacionin e ecjes, ndërsa rastin e kanë lajmëruar edhe në polici.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, tha për Express se nga të shtënat me armë zjarri nuk është lënduar asnjë person, ndërsa gjatë rrugës kanë hasur në një patrullë policore dhe e kanë njoftuar për rastin.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhë nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me azrmë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëmë të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat me i jep në Prishtinë”, tha Hoti.

Ndryshe, një zyrtar i këtij klubi tha se të dyshuarit kanë gjuajtur përpjetë rreth 30 metra larg grupit.

“Grupi ka qenë duke bë hiking (ngjitje), në malet mbi liqenin e Ujmanit, dy persona kanë shkrep përpjetë me armë zjarri, pas kësaj grupi ka marrë vendim me u kthy. Kanë qenë pjesëmarrës rreth 50 persona në grup, nuk ka të lënduar, grupi është në rregull. Grupi ka vazhdu me ecë për në Shalën e Bajgorës”, tha ai.