Policia blen uniforma taktike, mbi 117 mijë euro shkojnë “me negocim” tek kompania ‘RELOAD’

Institucioni i sigurisë në vend tashmë është furnizuar edhe më uniforma të reja. Policia e Kosovës ka blerë “uniforma taktike” nga kompania “RELOAD” me vlerë të tenderit prej 117 mijë euro.

“Furnizim me uniforma taktike operacionale” kështu quhet tenderi i fundit që Policia e Kosovës ia ka dhënë kompanisë “RELOAD”, kompani kjo që merret më shitjen e armëve dhe municionit, e që shumë shpesh merr tenderë edhe nga Policia.

Blerja e uniformave taktike operacionale, Policisë së Kosovës i ka kushtuar hiç më pak se 117 mijë e  826 euro.Kontrata mes kompanisë fituese dhe Policisë është nënshkruar sot.

“Data e dhënies së kontratës 29.03.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 31.03.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 1. Furnizim me uniforma taktike operacionale Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët: 117 826,00.Kompania fituese “RELOAD ” SH.P.K.”, shkruan në njoftimin e shpallur në KRPP.

Polica e Kosovës blerjen e këtyre uniformave e ka bërë nga RELOAD në mënyrë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në dosjen e tenderit, të cilin e posedon Gazeta Online Reporteri.net është treguar se çka janë “uniforma taktike” dhe sa lloje të tilla do të blihen nga Policia e Kosovës me 177 mijë euro.

Sipas përshkrimit është treguar se do të blihen xhupa të dimrit dhe të verës, këmisha taktike, pantallona taktik, çizme taktike, kapela taktike dhe kapela operacionale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Policia porositi dhe bleu 260 copë xhupa (jakne) dimri, 260 tjerë xhupa të verës, 260 këmisha taktike, 260 copë pantallona taktik, 260 çizme taktike, 160 kapela taktike dhe 100 kapela operacionale.

Kompania fituese “RELOAD ” SH.P.K.”, që ka fituar edhe me herët tenderë nga Policia e Kosovës, sipas të dhënave në ARBK është në pronësi të Aziz Ferizi dhe Shpend Zenuni. Ky i fundit është i regjistruar edhe si drejtor menaxhues i kompanisë.

Kompania  “RELOAD” ka mbi vete Klubin e shenjtarisë, poligonin dhe një restorant, dy të parat janë të regjistruara me lokacion në Prishtinë, ndërsa restoranti në Graçanicë. /Reporteri.net/.