Polici Nevaldo Hajdaraj kërkon ndryshim akuze dhe gjykim të shkurtuar për vrasjen e Klodian Rashës

Avokati i oficerit të policisë Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, ka kërkuar sot në gjykatë ndryshim të akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme” si dhe “gjykim të shkurtuar”.

Pas seancës paraprake të zhvilluar paraditen e sotme, Hajdaraj i ka kërkuar ndjesë babait të Klodianit, Qazim Rashës, i cili u shpreh se “kishte ardhur të shihte me sytë e tij drejtësinë”.

Klodian Rasha, 25 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020 nga oficeri i policisë së njësisë “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja ndodhi teksa prej 17 nëntorit qeveria kishte vendosur kufizimin e lëvizjeve si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Punonjësi i policisë e arsyetoi veprimin mbi faktin se Rasha nuk i ishte bindur thirrjes për të ndaluar dhe se dyshonte të ishte i armatosur. Policia njoftoi të nesërmen se kishte gjetur një pistoletë rreth 200 metra larg vendngjarjes.

Mirëpo tre muaj më pas, nga hetimet e kryera rezultoi se pistoleta “model turke sportive” nuk ishte e Rashës, pasi nuk kishte asnjë gjurmë që e lidhte me atë. Kjo bëri që prokuroria të ndryshonte akuzën nga “vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.

Vrasja e Rashës nxiti një javë protesta, të cilat çuan në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.