Policët sulmohen dhe lëndohen në punë por trajtimin duhet ta bëjnë me para të veta. Kurse, gjykata dhe prokuroria nuk po veprojnë fuqishëm dhe me një dinamikë më të madhe ndaj sulmuesve.

Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imri Zeqiri, sipas të cilit janë 21 policë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave, qindra policë të lënduar, rreth 300 policë të sëmurë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe policë me sëmundje kronike. E pikërisht për këtë, është jetik të bëhet sigurimi jetësor dhe shëndetësor.

Zeqiri thotë për KosovaPress, se policët po përballen me rreziqe të mëdha dhe për këtë kanë merituar të shpërblehen nga shteti.

Në anën tjetër, Zeqiri shton se po akuzohen padrejtësisht në lidhje me trajtimin e rasteve dhunës në familje.

“Rasti në Llaushë të Skenderajt me keqardhje është që ka ndodh vrasja, mirëpo e them me qind për qind siguri pa fajin e policisë. Policia në rastin e tillë ka intervenu, i është përgjigjur rastit dhe i ka kryer të gjitha procedurat në kompetencat e policisë, bazuar në ligjin dhe autorizimet policore. Është marrë, është trajtu edhe viktima e rastit, është trajtuar edhe i dyshimti… Policia e Kosovës një person të ndaluar për intervistim ka të drejtë ta mbajë gjashtë orë, mbas gjashtë orëve është kompetencë e prokurorit nëse e dërgon në mbajtje për 48 orë, pa vendim të prokurorit nuk ka mundësi me e dorëzu dhe le ta dinë edhe opinioni që prokurori është ai që i udhëheq hetimet në të gjitha rastet, policia i kryen punët në bazë të urdhrave të prokurorit”, ka thënë ai.

Ai madje kërkon që të ketë dënime më të ashpra për sulmuesit ndaj policëve.

“Të gjithë kryerësit e veprës penale të dënohen sipas ligjit, as më shumë, as më pak dhe mendoj se do të ishte një parandalim për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë. Përndryshe derisa ata kryerësit e këtyre veprave, sulmueset, të dyshuarit që sulmojnë Policinë e Kosovës nëse shkojnë me dënime më të buta apo të them të ketë aty tolerancë, atëherë ata veç po fuqizohen dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës nuk do të ndalen asnjëherë. Nuk po dua me akuzuar as prokurorinë, as gjykatën në atë aspektin se nuk po veprojnë fare, por mendoj se duhet të veprojnë më fuqishëm, me një dinamikë më të madhe dhe të zbatojnë ligjet që janë në fuqi dhe të gjithë ata që sulmojnë policinë të marrin dënimin”, u shpreh ai.

Të gjitha këto kërkesa, Zeqiri shprehet se do i paraqes në një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë, njofton se që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, janë infektuar 2210 zyrtarë policor dhe aktualisht janë 40 policë me COVID-19.