Botimet

Poeti shqiptar s’ka lekë të publikojë librin: Nxjerr në Facebook numrin e llogarisë bankare

Poeti Skënder Rusi, i njohur për poezitë e shumta dhe tekstet e disa këngëve i ka kërkuar ndihmë kujtdo për të kontribuar sadopak në mbledhjen e parave që do të mundësojnë publikimin e librit të tij.

Në një postim në Facebook, Rusi ka vendosur numrin e llogarisë ku kushdo mundet ta ndihmojë artistin.

“Miq të dashur! Mos u habitni që në foton bashkëlidhur nuk po shihni kopertinën e një libri, por numrin tim të llogarisë. Dhe kjo e ka një arsye. Ajo që më lidh me ju është e vlefshme si poezia, e unë dua që kjo e fundit të jetojë edhe kur të mos jem unë. Miqësia nuk ka çmim, por botimi i një libri sot fatkeqësisht e ka! Ndaj sot dua të kërkoj mbeshtetjen tuaj. Libri im i ri “Edhe perenditë e duan lavdinë”, pret të shikojë botimin e tij, por sakrifica financiare qe nevojitet sot, më shtyn të ndaj këtë mesazh me ju. Të kërkosh për libra nuk është asnjëherë mëkat, e kushdo që ka mundësinë të dhurojë një kontribut modest që libri im të botohet dhe të zerë vend fizikisht tek lexuesi, është i çmuar dyfish nga unë: si mik, por edhe si njeri që nuk e lë të vdesë poezinë! Perzemërsisht për të gjithë ju, Skënder Rusi”