Mauricio Pochettino thotë se Harry Kane pritet të jetë në dispozicion, nëse Tottenham mundi Ajax dhe kualifikohet në finalen e Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi anglez dëmtoi kyçin e këmbës në ndeshjen e parë të triumfit ndaj Manchester City, në çerekfinale, dhe thuhet gjerësisht se e ka humbur pjesën e mbetur të Premier League.

Sidoqoftë, trajneri i tij shpreson se mund ta ketë gati për një finale të mundshme ndaj Liverpoolit, ose Barcelonës, më 1 qershor, në “Wanda Metropolitano”. Po ashtu, ky lajm është mjaft i mirë për Anglinë, që do ta luajë gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve më 6 qershor, kundër Holandës.

“Nëse më pyetni sot, zemra më thotë se Kane mund të jetë në dispozicion për finalen e Championsit, – tha Pochettino. – E njoh mirë Harry, vendosmërinë e tij për të punuar dhe për t’u fokusuar, për t’u riaftësuar sa më parë. Sidoqoftë, nuk jam mjek. Kjo është vetëm ndjesia ime.

Mendoj se po bën mirë, por sot nuk mund të parashikoj gjithçka me saktësi. Rikuperimi po ecën shpejt, por gjithnjë momenti i fundit është situata më e vështirë, kur duhet të marrësh vendimin për të luajtur apo jo”.