Trajneri i Tottenhamit

Pochettino i shqetësuar për të ardhmen e Kane

Mauricio Pochettino e ka zbuluar frikën e tij se lojtari kryesor i Tottenhamit, Harry Kane mund të tundohet për një kalim drejt Barcelonës.

Sulmuesi anglez ka qenë i lidhur me një transferim te katalanasit, me kampionët e Spanjës që synojnë të gjejnë një pasues të denjë për Luis Suarezin, pavarësisht se Kane gjatë këtij viti ka nënshkruar kontratë të re 6 vjeçare me “Spurs”.

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde e ka përshkruar Kanen si një lojtar të jashtëzakonshëm në prag të përballjes në “Camp Nou” mes “Blaugranave” dhe Tottenhamit, takim ky i vlefshëm për xhiron e fundit të grupit në Champions League.

“Shumë skuadra në La Liga dhe Premier League kanë kapacitete ekonomike për të transferuar lojtarë nga të dyja anët. Ka ndodhur në të kaluarën, Real Madridi transferoi Cristiano Ronaldon nga Manchester United, Coutinho u largua nga Liverpooli për Barcelonën. Do të ndodhë edhe në të ardhmen, për këtë jam i bindur. Por kjo gjë nuk varet vetëm nga aspekti ekonomik, varet edhe nga aspiratat e futbollistit, ndonjëherë ata marrin vendime të bazuara në fakte”, deklaroi Pochettino.

Sulmuesi uruguain, Luis Suarez nuk do të jetë i gatshëm për ballafaqimin e sontëm, kurse ky zhvillim e ka gëzuar Pochettinon i cili beson se Barcelona do ta vë në vështirësi skuadrën e tij pavarësisht se pritet që të aktivizohen disa lojtarë rezervistë.

Fitorja ndaj Barcelonës e kualifikon automatikisht Tottenhamin për në fazën me eliminim direkt pa pasur nevojë të fokusohet te ndeshja tjetër e grupit mes Interit dhe PSV-së.