Po transportonin 26 emigrantë me 3 automjete, arrestohen 3 shqiptarë të Kosovës në Sarandë

Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Sarandës pasi akuzohen se po transportonin 26 emigrantë të paligjshëm, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Policia bën të ditur se në pranga janë vënë Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç, të tre banues në Kosovë.

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.

Bashkëpunuan për të transportuar me 3 automjete, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kapen në flagrancë dhe arrestohen 3 shtetas.

Të arrestuarve iu sekuestrohen automjetet me të cilat kryenin transportimin, dhe celularët.

Ky operacion, i dyti brenda pak ditëve, i finalizuar nga Policia Kufitare e Sarandës për goditjen e ndihmës së kundërligjshme, për emigrantët.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Border”, si rezultat i të cilit nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, u arrestuan shtetasit:

-Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç, të tre banues në Kosovë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, teksa transportonin kundrejt fitimit, me 3 automjete të ndryshme, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.