“Po të pres te tregu i makinave” – SMS-ja që nxori në pritë vëllezërit

Nga dosja hetimore janë zbardhur detaje nga vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 2020, në vendin e quajtur tregu i mjeteve ne Shënevlash Durrës, në makinën tip Golf.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mbi asfalt në afërsi pranë mjetit të viktimave janë administruar një sasi prej 55 gëzhoja arme zjarri model 56, kalibër 7.62 mm, 3 (tre) bërthamë plumbi, sekuestruar katër aparate telefonik celular në përdorim të viktimave.

Nga këqyrja e mëtejshme, mjeti i viktimave ka rezultuar me dëmtime të shumta në pjesë të xhamit të përparme dhe xhamave anësore të makinës, në pjesë kofanos dhe të dyerve dhe të gjithë këto dëmtime kanë qenë në formë vrimash tejshpuese karakteristikë e dëmtimeve të shkaktuara me armë zjarri. Të gjitha dëmtimet janë me drejtim hyrja nga jashtë, brenda mjetit.

Në këqyrjen e kufomave të vëllezërve Haxhia, ka rezultuar se në trupin tyre  konstatohen dëmtime të shumta trupore te shkaktuar me armë zjarri, në pjesë të trupit dhe kokës. Më konkretisht te viktima Besmir Haxhia janë konstatuar 20 dëmtime në pjesë të gjoksit, të qafës dhe kokës si dhe gjendur në trup një predhë arme zjarri, dy këmisha predhe si dhe një bërthamë predhe arme zjarri.

Te viktima Viktor Haxhia janë konstatuar 18 dëmtime të shumta në pjesë të gjoksit, të qafës dhe të kokës, ku janë gjendur dy predha arme zjarri, tre pjesë këmishe predhe dhe tre bërthama predhe arme zjarri.

Përpara se të vriteshin rreth orës 16.30 viktimat ishin nisur nga banesa e tyre në Spitallë për në rrugët e fshatit Shënevlash. Më pas gjatë kohës që ishin në lëvizje me mjetin e tyre në vendin “Tregu mjeteve” autorët e ngjarjes i kanë ndjekur dhe me pas parakaluar me një automjet dhe në shkëmbim e sipër i kanë qëlluar me armë zjarri automatike. Si pasojë e plagëve të shumta viktimat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Kufoma e Besmir Haxhisë është fiksuar në sendilje te shoferit kurse kufoma e Viktor Haxhisë në sediljen e parë .

Nga këqyrja e telefonit të viktimës Besmir Haxhia është gjendur sms e një të panjohuri dhe të paregjistruar si emër i cili i thoshte “po të pres te tregu i makinave në Shënevlash”.