Kombëtarja shqiptare

“Po të isha unë trajner Brojën do ta merrja medoemos në Evropian”, Lala: Edhe Manajn e shoh në Gjermani

Kombëtarja shqiptare e ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet miqësore të muajit mars. Lista e publikuar nga Sylvinho ka hapur diskutime, teksa jashtë saj kanë mbetur Daku dhe Muja.

Por pjesë e Kombëtares për këto dy takime do të jenë Broja, Manaj dhe Kumbulla.

Në një intervistë të dhënë për “Report TV”, përcjell Sport Ekspres, Altin Lala ka thënë se Brojën dhe Manajn do t’i merrte me vete në Europian në rast se do të ishte ai në krye të bankinës së Shqipërisë.

“Manaj po bën performancë jashtëzakonisht të mirë. Ai faktikisht e vërteton me golat e shënuar. Është një nga golashënuesit më të mirë në Turqi. Ndërsa për Brojën, të gjithë e dimë që ka cilësi të veçanta. Mund të jetë për ndeshje, siç është Kampionati Europian. Janë vetëm tre ndeshje, mund të jetë një lojtar që mund të bëjë diferencën, si nga fillimi, ose edhe nga stoli. E ka treguar edhe në të kaluarën që ka cilësi të veçanta. Lojtarë si puna e tij nuk i kemi shumë në radhët tona ose në repartin e sulmit. Po të isha unë trajner do ta merrja me doemos, as që bëhet fjalë. Edhe Manaj ka vite me Kombëtaren, pati një farë shkëputje. Por Kombëtarja duhet të grumbullojë ata lojtarë që po performojnë më mirë. Dera e Kombëtares është e hapur për të gjithë. Si Manaj dhe Broja, unë i shikoj që janë potencialisht lojtarë që duhet të jenë me Kombëtaren”, ka thënë Altin Lala.