“Po shkelet toka e baballarëve dhe gjyshërve”, reagim i ashpër i “Dardanëve” pasi Ademi la Kosovën për Zvicrën

Sulmuesi nga Kosova, Kemal Ademi, vendosi që ta përfaqësojë Zvicrën në arenën ndërkombëtare para Kosovës.

Futbollisti që luan me Baselin ishte kontaktuar shumë herët nga Federata e Futbollit të Kosovës, por në fund ai vendosi që t’i thotë “po” Zvicrës duke i dëshpëruar shumë futbolldashës në Kosovë e më së shumti tifozët e flaktë “Dardanët”.

Prijësi i “Dardanëve” Lulzim Berisha, ka folur për çështjen në fjalë.

“Kemal Ademi e ka bërë një zgjedhje shumë të gabuar sikurse disa të tjerë që jemi mësuar t’i shohim në vitet e fundit. Pas pesë viteve të pranuar nga UEFA dhe FIFA, Kosova merr pjesë në kualifikimet për kompeticione të mëdha dhe jemi një hap larg Kampionatit Evropian e tash dalin lojtar që refuzojnë ta përfaqësojnë atdheun, vendlindjen e baballarëve e gjyshërve të tyre të cilët kanë dhënë shumë për këtë tokë, për ta përfaqësuar këtë shtet. Nuk mund ta përshkruajë këtë fenomen që ndodh nga disa lojtarë”, ka thënë “Luli”

“Kosova duhet të jetë primare. Kosova është tokë e shenjtë dhe ku ka më mirë sesa të përfaqësohen “Dardanët”, shtoi Lulzim Berisha.

Ndryshe, sipas Ademit, së fundmi sulmuesi i Lausannes, Andi Zeqiri e zgjodhi Kosovën edhe pse kërkohej nga Zvicra.