“Po qëndrojnë të fortë”, Haxhiu flet për ish-ushtarët e UÇK’së që i vizitoi në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur për vizitën e saj në Hagë, atje ku ajo takoi disa nga ish-pjesëtarët e UÇK’së që po mbahen në paraburgim. Ajo tha se të gjithë janë mirë me shëndet, derisa kërkesat e tyre janë adresuar në institucionet kompetente.

“Të gjithë janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë. Mendoj se janë disa prej çështjeve që janë serioze dhe i kemi ngritur pastaj edhe tek instancat tjera”, tha Haxhiu.

“Z.Ngucati siç na ka njoftuar para se të arrestohej ka pasur që t’i nënshtrohej një operacioni në këmbën e tij të djathtë për shkak të plagëve gjatë kohës së luftës. Mirëpo këtë s’ka mund ta bëjë për shkak të arrestimit dhe tani ka pasur kërkesa të vazhdueshme që t’i nënshtrohet operacionit por kjo gjë nuk i është mundësuar. Tani kishte pasur një vizitë nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe po presin se cilat do të jenë më tutje gjetjet pas kësaj vizite. Ne këtë e kemi ngritur në takimet”, tha ajo për RTK’në.

“Disa prej tyre po mbahen prej dy vjetësh në paraburgim dhe ende nuk ka një seancë gjyqësore. Natyrisht se kjo përbën shqetësim sepse nuk është e lehtë dhe nuk është një standard i drejtë që dikush të mbahen në paraburgim për sa kohë nuk nisin seancat gjyqësore. Për këtë arsyetohen përfaqësuesit e institucioneve në fjalë që çështja është sensitive por kjo nuk është përgjegjësi e personit të arrestuar në këtë rast”, tha ajo.

Haxhiu tha se po tentojnë që të lehtësojnë marrjen e vizave për vizitat e familjarëve.

“Po bëjmë përpjekje që të mundësojmë vizita edhe për prindërit. Nuk e di nëse do të kemi sukses. Është fjala veç për babanë e z. Hysni Ngucati sepse të tjerët të cilët i kanë ende prindërit në jetë kanë dy shtetësi”, shpjegoi Haxhiu.