Moti

Pluhuri saharian do të jetë i pranishëm edhe disa ditë, javën e ardhshme në Kosovë pritet të bjerë shi

Gjatë ditës së sotme me depërtimin e të nxehtit afrikan, mbi vend depërtuan edhe koncentrime të larta të pluhurit saharian, gjë që ndikoi edhe në rritje të grimcave PM 2.5 dhe PM10 në stacionet e monitorimit të ajrit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se në disa stacione vlerat e çastit të grimcave PM10 ishin shumë më të larta nga sa duhet të jenë normale për këtë periudhë kohore.

“Pluhuri saharian do të mbetet mbi rajon edhe ditëve të ardhshme, megjithëse jo me këto përqendrime të larta. Sipas parashikimeve të fundit, nga mesi i javës së ardhshme pritet ndryshim i situatës sinoptike, me rënie të ndjeshme të temperaturave e mundësi edhe për reshje shiu”, thekson PW.

Sipas PW, “edhe siç ishte parashikuar në modelet numerike, sot fryu erë e fuqishme nga jugperëndimi, e në Prishtinë u regjistruan hove deri në 60km/h. Temperaturat e ajrit në shumicën e stacioneve arritën deri në 33C, e në disa stacione në Dukagjin edhe deri në 34C”.

“Duhet theksuar që në dhjetëditëshin e dytë të muajit maj, nga 11 maj deri më 20 maj, sipas shënimeve shumëvjeçare temperaturat e ditës së sotme janë më të lartat të regjistruara, e për disa stacione mund të jenë edhe më të larta për muajin maj. Në maj të vitit 2008 në aeroportin e Prishtinës janë regjistruar temperatura edhe deri në 34C”, bën të ditur PW.