Plazhet do hapen: Do të detyrohen të mbajnë distancë prej tre metrash, këto janë rregullat

U ngritën shumë dilema pas pandemisë COVID-19 se a do të munden që turistët nga Kosova të shkojnë për pushime gjatë verës në Shqipëri, por kjo do të mundësohet nga Qeveria shqiptare me anë të disa rregullave të reja.

Të gjithë ata që kanë bërë plane që pushimet verore t’i kalojnë për disa ditë në Shqipëri në plazhet e bukura që ofron bregdeti shqiptar, kjo do të ju realizohet dhe pushimi nuk do ju shkojë huq duke qëndruar në shtëpi.

Qeveria e Shqipërisë ka marrë masa për hapjen e plazheve dhe turizmit atje, por ka marrë një sërë masash që turistët mos të preken nga koronavirusi.

Lajmin për hapjen e plazheve dhe masat e reja i ka dhënë drejtoresha e agjencisë së turizmit në Shqipëri, Kornelia Ferizaj.

Kornelia Ferizaj deklaroi se shteti i saj ka nisur t’i marr të gjitha masat e nevojshme për turizmin e kësaj vere, duke vendosur rregulla të reja si për turistët ashtu edhe për hotelet, shkruan Gazeta Metro.

“Duke shpresuar që hapja graduale të shkojë pozitivisht, e cila planifikon te nis në fund të majit dhe fillim të qershorit, sigurisht që ju jeni të mirëpritur duke pasur parasysh edhe faktin që Kosovarët përbëjnë rreth 35 përqind të turistëve në Shqipëri”.

“Këtë vit do të dallojë turzimi sepse nga koronavirusi të gjitha hotelet, baret e restorantet do të jenë të detyruar të ndjekin një protokoll masash, me elemente sigurie shtesë që janë të domosdoshme sepse në radhë të parë është siguria e shqiptarëve. Sigurisht do të jetë ndryshe ky vit”.

“Protokolli përmban disa masa. Edhe gjatë larjes në det turistët do të detyrohen të mbajnë distancë prej tre metrash, përveç nënave me fëmijët. Në shazllone distanca prej 3.5 metrash, në bare e restorante në tavolina të mos ketë më shume se katër persona për 10 metra katrorë, etj”.

“Nga pronarët e hoteleve dhe shtëpive kemi një siguri që këtë vit çmimet nuk do të rriten, sepse oferta do të jetë më e ulët dhe ata do të duan ta mbajnë tregun”.

“Turistët i këshillojmë që këtë vit të shikojnë një certifikate në çdo hotel që do të jetë në formë jeshile, e cila tregon se objekti është i certifikuar nga institucionet përgjegjëse për respektimin e këtyre standardeve, ku e para ka të bëjë me pastërtinë”, u shpreh ajo në emision Speciale në Klan Kosova.