Plani i Macronit për reforma që vështirëson integrimin e Ballkanit Perëndimor më BE

Qëndrimi kundër i Francës ka qenë vendimtar që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos u hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian as këtë vit. Një gjë e tillë ka ngjallur jashtëzakonisht pakënaqësi te dy vendet respektive dhe, gjithashtu, edhe gjithë krerët e institucioneve më të larta të BE-së janë shprehur të zhgënjyer me një qëndrim të tillë të Francës.

Ka reaguar dhe SHBA-ja duke shprehur zhgënjimin me një zhvillim të tillë që edhe më tutje lë Ballkanin Perëndimor jashtë ombrellës së BE-së.

Megjithatë, një qëndrim i tillë i presidentit francez Macron vjen si pasojë e përpjekjes së këtij të fundit për një reformë të brendshme të institucioneve të BE-së dhe procesit të anëtarësimit e zgjerimit.

Sipas një letre jozyrtare që po qarkullon nëpër gjithë mediat e ndryshme të botës, e që për burim ka Francën, megjithatë, theksohet se njëzëri përkrahet rruga evropiane e Ballkanit Perëndimor, por potencohet se duhet të ndryshohet dhe përtërihet procesi i pranimit, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në terma konkretë, të cilët ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe në përgjithësi ligjet e Bashkimit Evropian.

Në këtë letër, gjithashtu, është shkruar edhe plani se si duhet të bëhet një reformim i tillë i procesit të anëtarësimit e zgjerimit.

Një nga pikat e këtij plani është edhe përfshirja e kushteve strikte apo të rrepta.

“Një qasje për ripërtëritje duhet të bazohet në 4 parime: Anëtarësim gradual, kushte strikte, përfitime të prekshme dhe kthyeshmëri”, thuhet në këtë dokument ndër të tjera.

Tutje thuhet që procesi i pranimit duhet të jetë i ndarë në disa shkallë, që do të nxiste shtetet që të punonin për plotësimin e kushteve, duke ritheksuar në vazhdimësi plotësimin e kushtit për sundim të ligjit.

Sa i përket plotësimit strikt të kushteve, thuhet se procesi do të vëzhgohet në mënyrë të detajuar, për të parë përparimin dhe adaptimin e ligjeve në fusha të ndryshme.

“Pranimi përfundimtar do të vendohet bazuar në përmbushjen e objektivave të prekshme ekonomike dhe sociale”, thuhet ndër të tjera.

Kjo përpjekje për të bërë edhe më strikt procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, vjen në një kohë kur Kosova s’ka as liberalizim të vizave e s’është as vend kandidat.

Shqetësime të ndryshme janë ngritur sa i përket lënies jashtë të kësaj pjese të Ballkanit. Gjashtë shtete të BE-së madje sot i kanë drejtuar një letër presidentit të KE-së, Jean Claude Juncker, në të cilën shprehin shqetësime lidhur me këto zhvillime.