Richard Grenell

Planet e dhëndrit të Trump për investime në Serbi, Grenell: Shtabi i i bombarduar nga NATO “simbol miqësie”, investohen 1 miliard

Media të mëdha amerikane si “The New York Times”, e “Bloomberg”, kanë publikuar artikuj të premten në lidhje me planet e Jared Kushner dhe firmës së tij “Afinity Partners” me seli në Miami, për investime në Shqipëri dhe Serbi. Derisa në bregdetin shqiptar pritet të ndërtohen resorte me mijëra dhoma, në Serbi ka plane tjera.

Sipas mediave projekti ambicioz në Serbi përfshin rivitalizimin e tre blloqeve të ndërtesave të braktisura në zemër të Beogradit. Këto blloqe, të mbetura bosh që nga bombardimet e NATO-s në prill 1999, janë planifikuar të shndërrohen në një hotel luksoz, hapësirë ​​tregtare dhe mbi 1500 rezidenca.

“Kjo lëvizje nënkupton një investim strategjik në rigjallërimin e zonave historike dhe kontributin në zhvillimin urban të kryeqytetit të Serbisë”.

Më shumë detaje për projektet ka shpalosur  ish- Emisari Richard Grenell në një bisedë me një media serbe. Grenell ka thënë se në kryeqytetin serb do të rivitalizohet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999. Ish i dërguari special i SHBA-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në administratën e Presidentit Donald Trump ka deklaruar “se ky simbol i konfliktit do të mund të shndërrohet në një urë miqësie ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së.

Grenell i tha gazetës beogradase “Blic” se projekti i restaurimit të Shtabit të Përgjithshëm të bombarduar në vitin 1999 ( Lufta e Kosovës), është një investim prej një miliard dollarësh.

“Do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm luksoz me pesë yje me përdorim të përzier dhe do të jetë i klasit botëror,” tha Grenell.

I pyetur se çfarë përfitimesh do të kishte Serbia nga kjo, ai thekson se “po flasim për hapësira për zyra, apartamente dhe një hotel me pesë yje”.

Po ashtu sipas tij investimi do të ketë simbolikën e miqësisë me Perëndimin.

“Kompleksi memorial do të ndërtohet me konkurs – ne do t’u kërkojë individëve të paraqesin propozime për memorialin. Kjo do të jetë një mënyrë për të parë drejt të ardhmes dhe për të ndërtuar një urë miqësie dhe ripërtëritjes”, tha Grenell.

Kur bëhet fjalë për datat e fillimit të punëve Grenell shpjegon se kjo varet nga lejet përfundimtare.

“Kjo varet nga aprovimet përfundimtare, pastaj shpresojmë qe në dy vitet e ardhshme. Pra, hapësirat e biznesit dhe ato publike, apartamentet, hotelet dhe qendra përkujtimore” thekson Grenel. Sipas tij, Beogradi është një nga qytetet më eksituese dhe më të gjalla në botë:

“Kjo është një mundësi për investitorët amerikanë që të rinovojnë ish Shtabin e Përgjithshëm si një simbol të përparimit të madh që është bërë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Ky projekt do ta kthejë simbolin e konfliktit të mëparshëm në një urë miqësie”, tha Grenell.

VIDEO BONUS: