Plagosje me armë në një fshat të Gjilanit, dënohet i akuzuari

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. K., i cili ka kryer dy vepra penale.

Sipas gjykatës, i akuzuari me datë 17.09.2020, në fshatin Malishevë të Komunës së Gjilanit, për shkak të një mosmarrëveshje, me armë zjarri i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit H. M., si dhe ka rrezikuar jetën e personit, tani të dëmtuarit D. M.

“Fillimisht të dëmtuarit kishin shkuar tek shtëpia e E. H. (vëlla i të akuzuarit), për ta kërkuar të njëjtin, ashtu që me të parë gjendjen e tenisonuar, i akuzuari B. K., nga shtëpia e tij merr pushkën e gjuetisë të markës “Bereta” dhe nga një distancë rreth 15 metra, ka shtënë në drejtim të dëmtuarit H. K., dhe predhat e kanë goditur në shputën e këmbës së djathtë, si dhe shputën e këmbës së majtë, duke i shkaktuar thyerje të kockave të shputës së majtë, në atë mënyrë që i shkakton lëndime të rënda trupore. Me datë 18.09.2020, rreth orës 08:50 minuta, në fshatin Malishevë, në shtëpinë e të pandehurit, Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë të markës “Baikal”. Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Trupi gjykues të akuzuarin B. K. ka shpall fajtor, duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 (vit) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim, ndërsa për veprën e dytë i ka shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 4 (katër) muaj burgim”, tha ai.

Me zbatimin e dispozitave të dënimit unik, të akuzuarit i shqiptohet dënim burgu në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj burgim.

Gjithashtu të akuzuarit në fjalë, i konfiskohen armët të llojit “Baikal” dhe “Bereta”.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.