Të shtëna me armë janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, ku një person është plagosur. Viktima që u plagos është një grua, e cila tashmë është transportuar në QKUK.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është I.A, ndërsa viktima që u qëllua është bashkëshortja e tij, SH.T

Rasti sipas informacioneve të para ka ndodhur te tregu në Bresje.

Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lidhur me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar.

Ahmeti ka thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti. /Ballkani.info