Plagët e luftës – Kur do t’ia mundësojë Gjykata Speciale operacionin Hysni Gucatit?

Operacionin e 28-të Hysni Gucati kishte planifikuar ta kryente në vitin 2020. Megjithatë, kjo iu pamundësua pasi u arrestua nga Gjykata Speciale. Kur janë bërë gati 2 vjet që po mbahet në Hagë, e sidomos pas dënimit me 4 vjet e gjysmë, Gucati është në pritje ta realizojë operimin në këmbë, si pasojë e plagëve që kishte marrë që nga koha e luftës.

Në njërën prej seancave ku Gucati foli si dëshmitar në gjykimin ndaj tij dhe Nasim Haradinajt, ai rrëfeu për plagët që i kishte marrë në kohën e luftës. I kishte kryer 27 operimi, përderisa po e priste edhe të 28-in.

Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën Nacionale nuk ka pranuar të jap shumë detaje në lidhje me pyetjet konkrete të gazetës, nëse Gucatit do t’i mundësohet operimi.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kujdesin shëndetësor që marrin të paraburgosurit individualë. Megjithatë, të paraburgosurit marrin të paktën të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor siç janë të disponueshme në Holandë”, thuhet fillimisht në përgjigje.

“Të gjithë të paraburgosurit marrin vizita të rregullta nga zyrtari mjekësor në ambientet e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë. Oficeri mjekësor do të referojë gjithashtu një të paraburgosur për kujdes dhe/ose trajtim të specializuar, aty ku kërkohet”, theksohet më tutje.

Dhomat e Specializuara të Hagës, e kanë lënë të hapur mundësinë që ky operim të kryhet, dhe të paguhet nga Dhomat e Specializuara.

“Për më tepër, një i paraburgosur mund të konsultohet me mjekë të jashtëm. Një praktikues i jashtëm duhet të jetë i licencuar për të ushtruar profesionin në Kosovë, Holandë ose në shtetin e vendbanimit të të paraburgosurit. Në rast se të paraburgosurit i mungojnë mjetet financiare për t’u konsultuar me një mjek të jashtëm, i paraburgosuri mund të kërkojë nga Sekretari që Dhomat e Specializuara të paguajnë kostot e çdo trajtimi”, përfundon përgjigja e Gjykatës Speciale për Nacionalen.

Se e kishte planifikuar ta realizojë operacionin, e kishte thënë edhe vet Hysni Gucati, në njërën prej seancave në gjykimin ndaj tij dhe Nasim Haradinaj.

“Unë jam i plagosur në këmbë, pjesën e femurit siç e thotë mjekësia. Kam pasur 27 operacione, dhe kam pasur të operohem sërish, por fatkeqësisht erdha këtu në Hagë”, kishte thënë Gucati.

Ai kishte treguar edhe për operacionet e para.

“Ditën e parë në spitalin tonë e improvizuar në bjeshkë në Malet e Berishës, të dytin në spitalin ushtarak në Tiranë më 8 qershor, ku më kanë dërguar forcat angleze, të cilat kanë sjellë ndihmë, ushqim dhe mua e dy të tjerë të plagosur na kanë dërguar në Tiranë”, kishte thënë ai.

Operimi i Gucatit në muajin tetor?

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka vlerësuar se është obligim i Gjykatës Speciale t’ia mundësojë operacionin Gucatit.

Behxhet Shala, kryetar i KMDLNj-së, ka bërë të ditur për gazetën Nacionale, se gjasat janë që Gucati të operohet në muajin tetor.

”Realisht, jo vetëm Gjykata Speciale, por secila Qendër e Paraburgimit, në momentin kur ia cenon lirinë dikujt, merr përgjegjësi për shëndetin e tij. Rasti i Hysni Gucatit është më i rëndë ai i ka pasur disa operacione, ne si Këshill kemi reaguar publikisht, i kemi treguar Ministrisë së Drejtësisë që ka probleme, shëndetësore, por kemi marrë vesh që Gucatit i është mundësuar të bëhet operacioni, dhe ai mund të bëhet në muajin tetor”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Sipas tij, shpenzimet e operacionit i kompenson Gjykata Speciale.

“Është bukur shumë i kushtetueshëm, por deri në muajin tetor Hysni Gucati do t’i nënshtrohet këtij operacioni. Për aq sa kemi informata, kjo është çështje e rregulluar dhe ai do t’i nënshtrohet. Shpenzimet i mbulon Gjykata Speciale, sepse nuk ka logjikë me i pagu i burgosuri. Nëse do ta lironin në shtëpi, do t’i paguante vetë. Por përderisa është aty shpenzimet i mbulon Gjykata Speciale”, theksoi më tutje Shala.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan nga Gjykata Speciale me nga 4 vjet e gjysmë burgim. Tash, procesi është në Gjykatën e Apelit.

Pse u dënuan Gucati dhe Haradinaj?

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë akuzuar për në total 6 pika: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, pengim i personave në mënyrë të organizuar, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje, shkelje të fshehtësisë së procedurës, e zbulim të dokumenteve konfidenciale.

Gucati e Haradinaj janë gjetur fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç pikës 4 ku akuzoheshin për hakmarrje.

“Paketat e sekuestruara bartnin sërë informacionesh të ndjeshme që iu kishin dorëzuar autoriteteve serbe, që përmbanin emra dëshmitarësh, përgjigje të Prokurorisë Serbe për krime të luftës”, thuhet në vendim.

Në lidhje me veprën penale të zbulimit të paautorizuar të informacioneve në procedurën zyrtare, trupi gjykues i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit. Këtë e ka arsyetuar kryegjyqtari Charles Smith.

“Trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit zbuluan informacionin e mbrojtur sipas Kodit Penal të Kosovës, duke ekspozuar material për gazetarët, e duke i lejuar ata me kamera të filmonin. Dëshira për kryerjen e veprës penale vërehej edhe në deklaratat e tyre se do të publikojnë secilin document që e pranojnë”, kishte thënë gjyqtari Smith.

Të fajshëm Gucati e Haradinaj u shpallën edhe për frikësim gjatë procedurave penale. “Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit kanë zbuluar të dhënat personale të dëshmtiarëve, dhe zbuluan informacion të mbrojtur. Madje Haradinaj përmendi emrat e së paku 5 dëshmitarëve. Si pasojë e veprave nga të akuzuarit, u shkaktuan pasoja të rënda, pasi dy dëshmitarë u zhvendosën, dhe një tjetër u bë objekt i menaxhimit të riskut.”

“Në paraqitjet publike të akuzuarit tërhoqën vëmendje për numrin e madh të dëshmitarëve, dhe i bënë publikë edhe një pjesë të emrave. Ata bënë deklarata të vazhdueshme se kjo gjykatë nuk është e aftë të garantojë sigurinë e dëshmitarëve. Autoritetet në Kosovë dhe në Hagë janë përpjekur për vite me radhë që ta shmangin klimën e frikësimit të dëshmitarëve. ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar edhe këtë pikë të aktakuzës.”

Për veprën penale të hakmarrjes, dy të akuzuarit nuk u gjetën fajtorë. “ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit kishin për synim hakmarrjen. Trupi Gjykues konstaton se ZPS-ja nuk e ka vërtetuar veprën penale të hakmarrjes”.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u gjetën fajtorë edhe për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe pengimin e personave me veprime të përbashkëta.