PK: Kidnapime të tilla forcat serbe i përdorin për t’i mbrojtur kriminelët

Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme lidhur me dyshimet për kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe në territorin e Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë, ka deklaruar se kidnapimet forcat serbe i kanë përdorur edhe në të kaluarën si metodë për mbrojtjen e kriminelëve.

“Një kidnapim i tillë nga forcat serbe që dëshirojnë ta mbajnë të destabilizuar Kosovën kishte ndodhur edhe më 2011 ku ishin kidnapuar dy zyrtarë. Kidnapime të tilla klasike forcat serbe po i përdorin që t’i mbrojnë kriminelët që kërkohen nga PK-ja”.

Kelani ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti, duke theksuar se policët po kryenin detyrat e veta. 

“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës në zonën kufitare në veri dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës thekson se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtar në pikë statike në vendin e quajtur Bare, në territorin e Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare që të parandalojnë veprimet ilegale, grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale, të parandalojnë mallrat dhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka thënë ai.

Policia në ndërkohë ka shfaqur edhe një hartë nga vendi se ku dyshohet të jenë kidnapuar policët.

Kelani ka shtuar se i kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë duke u kërkuar që t’i bëhet presion Serbisë për lirimin e policëve.

“Fillimisht njësiti policor, prej 3 zyrtare, kanë parë që në atë zonë kanë lëvizur persona të dyshuar, të maskuar e të armatosur, e që dyshohen të kishin qenë forca të njësive speciale të Serbisë. Menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar në asistencë në atë lokacion, ku me të arritur kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo zyrtarët. PK-ja përveç dërgimit të njësiteve, ka njoftuar të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, edhe KFOR-in që të bëhet presion që ata të lirohen sa më parë. Policët tanë janë policë patrullues., janë paqeruajtës, janë zyrtarë që zbatojnë ligjin, janë në shërbim të vendit, janë familjarë, prindër dhe presin që fëmijët të kthehen në shtëpi”.