Pjesëmarrje e zbehtë në Kuvend – Pak deputetë e ministra në sallë, as Kurti s’është i pranishëm

Vetëm pak pas orës 10:00 të së hënës, ka nisur seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës. Në seancë, pos deklarimeve jashtë rendit të ditës, ka edhe pyetje parlamentare e debat parlamentar, ndërsa është paraparë shqyrtimi i disa projektligjeve.

Në sallën e Kuvendit aktualisht ndodhen pak deputetë, pak ministra, e aty s’është as kryeministri Albin Kurti.

Për ta nisur këtë seancë, kryeparlamentari Glauk Konjufca u mundua që përmes ziles t’i ftojë ata që mund të jenë në hollin apo byfenë e Kuvendit.

Deputetët e opozitës kritikuan edhe kryeministrin Albin Kurti, të cilët thanë se Kurti ka premtuar të jetë i pranishëm sot në seancë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare. Shumë prej tyre shtyen pyetjet parlamentare për herë të tjera në mungesë të Kurtit e disa ministrave.

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti, njoftoi më vonë se Kurti është nisur për vizitë zyrtare në Norvegji.

Me të janë edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Më herët është thënë se mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës duhet të sanksionohet me reduktim të pagës dhe ndalim të kompensimeve financiare që marrin për pjesëmarrje në aktivitete të tjera.

Njohësit e çështjeve në Kuvend, patën thënë se gjatë legjislaturës aktuale, e cila është konstituuar më 22 mars, është vërejtur mungesë e theksuar e deputetëve në punimet e Kuvendit.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në seancën e 19 nëntorit, Konjufca ka thënë se “deputetët duhet të jenë në seancë”, sepse “paguhen nga populli”.

Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit.

Kompensimi mujor për pjesëmarrje në seanca plenare është 240 euro, ndërsa kompensimi për mbledhje të komisioneve është 160 euro.