Pirlo në rolin e ekspertit, kritikon përformancën e Origit në finale

Ish-lojtari i Milanit dhe i Juventusit, Andrea Pirlo ka kritikuar performancën e Divock Origi në finalen e Ligës së Kampionëve pavarësisht golit të dytë të rëndësishëm që shënoi ai.

Origi u fut në fushë në minutën e 58-të kundër Tottenham, në finalen e cila u luajt mbrëmë në ‘Wanda Metropolitano.

Sulmuesi belg shënoi golin e dytë, i cili ishte edhe goli i sigurisë për ‘Të Kuqtë’ në triumfin e gjashtë në histori në Ligën e Kampionëve.

Pirlo, megjithatë, nuk ishte i impresionuar me performancën e Origi pavarësisht kontributit të këtij të fundit.

‘’Origi? Erdhi në kohën e gabuar, nëse nuk do kishte shënuar, ai do ishte mposhtur. Ai nuk ishte një gol i finales të Ligës së Kampionëve. Me të vërtetë nuk më pëlqeu’’, tha ai për ‘Sky Italia’.

Finalja e sivjetshme e Ligës së Kampionëve është kritikuar jo pak nga ekspertët e futbollit për lojën e dobët që u zhvillua gjatë 90 minutave.