Legjenda e Arsenalit

Pires nuk do ta largonte Dembelen për Neymarin

E ardhmja e Ousmane Dembeles te Barcelona është vënë në dyshim vazhdimisht, por ish mesfushori francez, Robert Pires mendon se “Blaugranat” duhet ta mbajnë ish lojtarin e Borussia Dortmundit para rikthimit në “Camp Nou” të yllit brazilian, Neymar.

Dembele u transferua te Barcelona sezonin e kaluar si zëvendësim i Neymarit, i cili kaloi te Paris Saint Germaini për shumën rekord të 222 milionë eurove.

Lëndimet kanë pasur ndikim negativ në formën e Dembeles te kampioni i La Ligas, ndërsa talenti francez është kritikuar edhe për mungesën e diciplinës duke u vonuar në disa raste në seancat stërvitore.

E fundit ndodhi në fillim të kësaj jave, por 21 vjeçari u përgjigj duke shënuar gol në barazimin e të martës ndaj Tottenhamit në Champions Leagues, kurse kishte realizuar edhe në ndeshjen e fundit në La Liga kundër Espanyolit.

Së fundmi Neymar është lidhur me një rikthim te Barcelona, gjersa qëndrimi i Dembele nuk është i sigurtë. Megjithatë Pires është i bindur se katalanasit duhet të konfirmojnë bashkëkombasin e tij para yllit të PSG-së.

“E dua shumë Dembelen. Ne gjithmonë flasim për Messin, por ky djalosh është shumë i mirë. Ai është i ri dhe këto gjëra që ai i bën tani i kemi bërë të gjithë. Me kualitetin dhe talentin e tij, Dembele mund t’i ndihmojë Barcelonës ta fitojë La Ligan dhe Champions Leaguen. Nëse do të më kërkohej të zgjedhja mes njërit prej Dembeles dhe Neymarit, nuk do ta ndryshoja kurrë të parin”, u shpreh Pires.

Një tjetër lojtar francez është i lidhur me një kalim te Barcelona, bëhet fjalë për mesfushorin e PSG-së, Adrien Rabiot.

Pires mendon se reprezentuesi i Francës do të përshtatej shumë mirë në mesfushën e skuadrës së Ernesto Valverdes, së bashku me Sergio Busquets dhe Ivan Rakitic.