Pika e përbashkët kufitare Shqipëri-Kosovë, përfitojnë lehtësime 6 milionë qytetarë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të ratifikojë sot marrëveshjen me Kosovën për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Marrëveshja u prezantua nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sipas të cilit, ajo parashikon që nga 2 kontrolle që zhvilloheshin në kufirin Shqipëri-Kosovë, tani të zhvillohet vetëm 1 kontroll dhe i aplikuar për 6 milionë qytetarë në vit.

Lleshaj shtoi se kjo marrëveshje ofron lehtësi të mëdha dhe përmirëson regjimin e kontrollit të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Marrëveshja ka ardhur nga nevojat që lidhen me shtimin e madh të fluksit të lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit”, theksoi Lleshaj duke sjellë edhe shifrat konkrete.

“Nëse në vitin 2008 në kufijtë e vendit regjistrohen 8, 996, 000 hyrje-dalje të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, në vitin 2018 regjistrohen 23 milionë hyrje-dalje”, theksoi ai.

Lleshaj shtoi se kjo rritje spektakolare dhe e jashtëzakonshme e fluksit të qytetarëve që hyjnë e dalin nga kufijtë e Shqipërisë reflektohet edhe në disa tregues të tjerë.

Kështu, Lleshaj vuri në dukje se “nëse në vitin 2008 pika e parë kufitare ishte Kakavija, e më pas vinin Kapshtica dhe Rinasi, në vitin 2018 kemi një zhvendosje të rëndësishme me 6 milionë qytetarë që regjistrohen në Morinë, e më pas vjen Rinasi dhe Muriqani”.

Iniciativa për të sjellë këtë ligj në parlament, sipas Ministrit të Brendshëm, merret në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të qeverive për të lehtësuar procedurat dhe masat në menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit në pikat kufitare të vendit.

Lleshaj nënvizoi vullnetin e dy vendeve për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe për të përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme të transportit në nivel rajonal dhe evropian.