“Pica në burg”: Për çka ishte në ndalim policor deputet Armend Muja?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot u mblodhën për të diskutuar rreth arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Por vëmendjen e mori një picë. Pica që pretendohet se deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ia ka dërguar deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, derisa ky ndodhej në ndalim policor. Për çka akuzohej ai?

Debati parlamentar në Kuvendin e Kosovës ka zgjatur shumë, ku kryesisht, u fol për arrestimin dhe pezullimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Por…deputet Ferat Shala e përmendi një picë. Dhe më pas, do të flitej shumë për këtë picë.

Çka u tha fillimisht?

“Kam nevojë me repliku me Bekim Haxhiun. Kur është arrestu për korrupsion (Armend Muja), në burg i ka ardhë keq, ia ka qu një picë në stacion të policisë. T’u lypë me i akreditu universitetet, ndaj kam replikë me Bekimin se ta ka pru picën dhe të ka nxjerrë prej burgut.” – tha ai.

Pak më vonë, vetë deputeti Bekim Haxhiu u sqarua për këtë deklaratë, duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndikim në lirimin e Mujës, por konfirmoi se ia ka dërguar një picë.

“Është e vërtetë që kur Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesë të familjarëve të tij ja kam dërguar një picë në stacionin policor si humanist që jam. Por asnjë efekt, asnjë ndikim nuk e kamë pasur në procesin e lirimit të tij, as nuk e di kur ka dal prej burgut, as nuk e di si ka përfundua rasti i tij.” – ka thënë Haxhiu.

Fjalën e tij e tha edhe deputeti Muja, duke deklaruar se s’i njeh asnjërin nga të lartëpërmendurit, përveç që i sheh në Kuvend.

“Në Kuvend u bën ca pretendime të pavërteta. E para, unë s’e njoh as Ferat Shalën, as Bekim Haxhiun kurrë në jetë s’i kam taku, veç qitu në Kuvend. Është e vërtetë, në një kohë jam akuzu, por s’e kontrollojmë dot, ne mund të kontrollojmë veprimet tona.” – tha ai.

Fjalën e tij e tha edhe kryeparlamentari Konjufca kur iu drejtua deputetit Haxhiu duke deklaruar si vijon: “Veç po ndryshon situata, se une niva që ja ke çu vet”.

Për çka akuzohej Armend Muja?

Sipas asaj që raportonte “Betimi për Drejtësi”, Armend Muja derisa punonte në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, bashkë me Basri Mujën dhe Ferdije Zhuzhi – Etemi, ngarkoheshin nga aktakuza e Prokurorisë Speciale se i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 25 mijë euro kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve.

Ky medium bënte të ditur se Basri Muja kishte kërkuar 50 mijë euro për mostërheqjen e akreditimit për kolegjin në fjalë përgjatë vitit të parë, 150 mijë për vitin e dytë, dhe 50:50 për vitin e tretë.

Muja e Ferdije Zhuzhi – Etemi pretendohej se i kanë shkaktuar dëme edhe kolegjit “ISPE”, duke kërkuar para për akreditimin e programeve.

Më pas, ata dyshoheshin për marrje ryshfeti, pasi që për akreditimin e programeve në “Universum”, kishin fituar 35 mijë euro.

“Të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Armend Muja, si persona zyrtar kanë kërkuar për vete përfitim për të kryer në kuadër të autorizimeve të tyre një veprim zyrtar të cilën ata është dashur ta kryejnë, kështu që në fillim të vitit 2010 i dëmtuari A. Berisha sipas kërkesës së të pandehurit Armend, e ka takuar atë në kafiterin “Inbox”, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, me ç’rast Armendi i ka kërkuar 20.000,00 euro për të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe një person tani për tani N.N., për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum”, kurse në fund të muajit shkurt të vitit 2010 në një kafiteri në lagjen “Pejton” në Prishtinë, i pandehuri Armend për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum” ka kërkuar nga i dëmtuari Suat Berisha përfitim në të holla prej 20.000,00 euro për Basriun dhe Ferdijen, ndërsa pas një jave në takimin në kafiterin “Inbox”, Armendi nga Suati ka kërkuar përfitim prej 15.000,00 euro për Basriun, Ferdijen dhe veten.” – thuhej në aktakuzë.

Por, tash Armend Muja po pretendon se është shpallur i pafajshëm.

“…Çfarë mund të bëjmë është që t’ia lëmë procesit drejtësisë, procesi i drejtësisë në 12 pika ka pasë shpallje të pafajshëm.” – tha ai mes tjerash para Kuvendit të Kosovës.