Në orën 13:00 Krzysztof Piatek do të thotë fjalët e para si lojtar i Milanit.
Edhe pak minuta na ndajnë nga prezantimi i tij me fanellën kuqezi, teksa dje paradite kaloi vizitat mjekësore dhe gjatë pasdites u zyrtarizua firma e tij me “djallin”.
I lindur në Dzierzoniow të Polonisë e filloi karrierën me skuadrën e qytetit të tij, për të vijuar te Zaglebie Lubin, e më pas te Craciova, aty ku e spikati Genoa dhe e solli në Serie A për 4 milionë euro.

Në 6 muajt djaloshi i artë shkëlqeu duke shënuar 19 gola dhe tërhoqi interesin e klubeve si Juventus, Milan, Inter e Napoli në Itali. Madje, nga Spanja, Real Madrid ishte gati të bënte një lëvizje për 23-vjeçarin, por të gjithë e menduan si një alternativë për merkaton e verës.
Te Milani u gjendën ngushtë me situatën e Higuain dhe u hodhën në sulm frontal për polakun. Ia dolën ta sjellin në Milano dhe t’i bëjnë realitet ëndrrën e tij. Që i vogël ai është tifoz i skuadrës kuqezi dhe këtë e ka treguar edhe një foto e publikuar së fundi në media, teksa ai është ulur në karrige dhe mban afër një peshqir me logon e Milanit.







