Me një interpretim të jashtëzakonshëm në piano, Puhiza Sadiki është shpallur fituese e Çmimit të Parë Absolut në edicionin e XVI-të të konkursit ndërkombëtar “Tirana Talent 2025”.

Puhiza tregoi një nivel të lartë teknik dhe artistik, duke marrë vlerësimet maksimale të jurisë dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut.

Ajo konsiderohet si një nga talentet më premtuese të brezit të ri të muzikantëve shqiptarë.

Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e saj muzikore dhe një motivim i fuqishëm për të ardhmen.

Të kujtojmë se vitin e kaluar Puhiza Sadiki e kishte a bërë Kosovën krenare duke u renditur e dyta në një garë ndërkombëtare të pianos. Puhiza shkëlqeu në eventin prestigjioz “Victoria Music Center”, që u mbajt në Barcelonë të Spanjës.

Kjo qendër muzikore tërhoqi talente nga e gjithë bota, ku Puhiza, përfaqësuese e Kosovës, arriti të kapë vendin e argjendtë në garën për pianistë. Ky sukses i shtohet serisë së triumfeve të Sadikit në skenën ndërkombëtare, duke demonstruar përsëri aftësitë e saj të jashtëzakonshme.

Gjatë karrierës së saj, Puhiza ka grumbulluar një sërë çmimesh në garat e pianos në të gjithë globin dhe këtë herë nuk bëri përjashtim, duke bërë sërish emër me talentin e saj.

Ajo vazhdon të zhvillohet muzikalisht nën kujdesin e mësuesit të saj, Visar Osmani, i cili ka arritur suksesin e tij professional. Dedikimi dhe mësimdhënia e mësues Osmani janë bërë shtylla e rritjes së Puhizës si pianiste.