Pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik mes ShBA-së dhe Kosovës, ka të bëjë kryekëput me Kurtin dhe qeverinë e tij.
Kështu u shpreh Gëzim Visoka, profesor në Universitetin e Dublinit, në Info Magazine të Klan Kosovës, teksa shtoi se kjo është masë ndëshkuese ndaj tij për kritikat që po ia bën Gjykatës Kushtetuese.
“Mendoj se ka të bëjë kryekëput me Kurtin dhe qeverinë e tij. Është një masë ndëshkuese ndaj tij në një kohë kritike parazgjedhore. Mendoj që Kurti ka gabuar që publikisht ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese, ngase me punën e tij në veri, me mikro-veprime të përditshme për të zgjeruar autoritetin e Kosovës, nuk është se ka marrë shumë kritika nga ShBA. Ndoshta në prapavijë ka pasur, por publikisht jo. Por tani duket se është kaluar një vijë e kuqe, dhe kjo është shenjë se ShBA do që të ketë ndryshime në Kosovë ose të ketë ndryshim të kursit të veprimtarisë së qeverisë Kurti dhe të tjerëve”, u shpreh Visoka.
Ai, megjithatë, thotë se ky veprim i ShBA-së është i kthyeshëm.
Tutje, profesori në Universitetin e Dublinit thotë se dialogu strategjik me ShBA-në është propozuar nga ana e Kosovës vite më parë, por që nuk është pranuar nga administrata Biden.
“Në kuptimin e ngushtë të zhvillimeve që po ndodhin, duhet të cekim një fakt se nuk ka pasur një dialog të strukturuar apo strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së ende. Është propozuar nga ana e Kosovës, por asnjëherë nuk është pranuar nga ShBA. Me sa e di, Kosova nga viti 2020-21 ka provuar që të iniciojë këtë nismë, por ShBA nën administratën Biden e ka refuzuar këtë, duke thënë se nuk është momenti i duhur dhe se për të balancuar raportet e tyre me Serbinë”, deklaroi Visoka.
Duke iu referuar çështjes së pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik, ai tha se ky dialog nuk ka nisur, rrjedhimisht nuk ka pezullim të një procesi që nuk ka filluar.







