Ish i dërguari i Komisionit Evropian për Kosovë, Wolfgang Petrisch, ka thënë se Kosova gjithmonë po mundohet të krijojë një situatë tjetër, si kjo e fundit për krijimin e ushtrisë, prandaj shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, duhet të jetë më strikte.
“Është diçka e dëmshme për dialogun. Mundësia duhet të jetë më e mprehtë, që t’i japë shpresë dialogut, hap pas hapi deri në njohje të plotë”, ka thënë Petrisch në një intervistë për median serbe ‘Kurir’.
Ai është shprehur i shqetësuar se nuk ka mbetur edhe shumë kohë, pasi që Komisioni Evropian ka kohë të veprojë deri në prill të vitit të ardhshëm, pasi që pas këtij afati do të jenë zgjedhjet në Parlamentin Evropian dhe pikëpamjet do të ndryshojnë, transmeton Ballkani.info.
“Pas zgjedhjeve do të vijnë komisionerë të rinj nga rrethi i Viktor Orbanit, Matteo Salvinit, Yaroslav Kachinskit. Këta nuk përfaqësojnë kapacitetin e Komisionit për të zgjidhur problemin”, është shprehur Petrisch.
Petrisch ka thënë se Orban dhe Salvini kanë lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
Komisioni i ri Evropian, sipas tij, do të forcojë rolin e Putinit në Ballkan dhe zgjidhja e problemeve mund të shtyhet edhe më gjatë.
Gjithashtu, Petrisch ka thënë se duhet të kemi parasysh rolin e Kinës tash e tutje. /Ballkani.info/






