takim

Petkoviq s’pret asgjë nga takimi i 2 korrikut në Bruksel

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë në nivel teknik për javën e ardhshme, duke thënë se nuk pret asgjë nga ai takim.

“Si gjithmonë, ne shkojmë të përgatitur me ekspertët tanë, me të gjitha temat që janë në tryezë. Jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka hapur. Ne posaçërisht insistojmë në formimin e Unionit të Komunave Serbe. Kjo është shumë e rëndësishme për mbijetesën e Serbët në Kosovë për të ardhmen dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin me një qasje të tillë dhe për të ruajtur popullin serb në Kosovë”, tha Petkoviq sot për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

2 korriku si datë e mundshme për një takim të ri Bislimi – Petkoviq, u paralajmërua edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti para dy ditësh.

“Do të provohet në fillim të korrikut, me shumë gjasë më 2 korrik, ndërmjet dy kryenegociatorëve që do të diskutojnë mbi sekuencimin. Por zbatimi i Marrëveshjes e ka të domosdoshme respektimin e saj”, ka thënë Kurti pas dështimit të takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi pardje në Bruksel.

Dështimi erdhi pasi Kurti ka vendosur disa kushte për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dështimi i mbajtjes së takimit trepalësh ndodhi, pasi sipas tij Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.