Pas reagimit të ministrit serb të jashtëm, Marko Gjuriq, lajmit për njohjen e pasaportave dhe heqjen e vizave për Zonën Schengen, që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, ka ardhur reagimi edhe i Drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Patkoviq.
Ai ka shkruar në platformën X, se “vendimi i Këshillit të BE-së për anulimin e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe nga Kosova tregon se Serbia nuk po heq dorë nga lufta për të drejtat e popullit të saj në Kosovë”.
Petkoviç ka shtuar se serbët e Kosovës “do të mund të udhëtojnë pa viza, siç ka premtuar presidenti Aleksandër Vuçiç”.
Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim që të ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas të cilave Kosova është pjesë e Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Këshilli Evropian.
“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”.
“Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatë.







