Petkoviq: Kurti ose nuk i lexon marrëveshjet, ose bëhet se nuk i kupton

Në prag të takimit të nesërm në Bruksel, kryenegociatori serb për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq ka drejtuar kritika të reja për llogari të kryeministrit të Kosovës, duke pretenduar se “Albin Kurti nuk ka asnjë bazë të dalë me dëshirat dhe qëndrimet e tij arbitrare”.

Kurti në një intervistë për agjencinë kroate Hina ka thënë se nuk do të lejojë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës, pra krijimin e ndonjë forme të Republikës Serbe në veri të Kosovës.

Duke folur për takimin e sotëm në Bruksel me presidentin serb, ku do të prezantohet draft-statuti i Asociacionit, Kurti ka thënë se me kënaqësi do të shihte se çfarë drafti kanë përgatitur, por edhe se do të sigurojë se ajo për çfarë tanimë janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel të përmbushet.

“Albin Kurti nuk është i autorizuar të lejojë apo të mos lejojë diçka kur bëhet fjalë për Asociacionin sepse kompetencat e tij dhe mënyra se si duhet të formohet janë të përcaktuara me 4 marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 dhe nuk ka vend për arbitraritet”, ka pretenduar Petkoviq, transmeton Paparaci.

Ai po ashtu ka thënë se Kurti “ose nuk i ka lexuar dokumentet e nënshkruara në Bruksel, ose bën sikur nuk kupton çfarë shkruhet në to”.

“Marrëveshja e parë e Brukselit, Plani i Zbatimit të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve, Fushëveprimi i Punës dhe Mandati i Ekipit Menaxhues dhe Parimet e Përgjithshme për Formimin Asociacionit janë marrëveshje shumë të qarta, të cilat specifikojnë të gjitha detyrimet të cilat janë para Prishtinës”, ka pretenduar ai.

Ai gjithashtu ka pretenduar se kryeministri i Kosovës nuk ka bazë të dalë me “dëshirat dhe pikëpamjet e tij arbitrare” për këtë çështje.

“Detyra e tij është të zbatojë atë që është nënshkruar, me kusht që fillimisht të mësojë se si quhen marrëveshjet, kur janë nënshkruar dhe çfarë thonë ato”, shton Petkoviq.

Ai ka thënë se gjithçka tjetër është “vetëm një përpjekje për të penguar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.