Petkoviq i nervozuar, akuzon mediat opozitare në Serbi se po bëjnë propagandë pro Kurtit

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka akuzuar rrjetin ballkanik të lajmeve “N1” se gjoja ka shpërndarë lajme në funksion të “propagandës” së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Mediat e Kurtit si N1 bashkë kundër tubimit madhështor në Rudarë. Vetëm ju përdorni propagandën e Prishtinës dhe dezinformatat për 1500 njerëz në tubim, fotot flasin më shumë se çdo gënjeshtër e juaj. Uniteti i serbëve i lëndon”, ka shkruar Petkoviq.

Petkoviq ka pretenduar se në protestën e sotme ishin 10 mijë pjesëmarrës, duke e vazhduar propagandën e ulët dhe duke nxitur tensione.

Ndryshe, serbët nga katër komunat veriore të Kosovës ishin mbledhur të enjten në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, për të protestuar kundër siç thanë ata “kërcënimeve” të kryeministrit Kurti dhe ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Serbët ishin ftuar për të marrë pjesë në këtë protestë nga i ashtuquajturi “Shtab i Krizës” në Veri të Kosovës.

Para protestës serbët kanë shpalosur edhe një pankartë të madhe, ku shkruhej “Kurti, Kosova nuk është territori juaj, kjo është toka jonë stërgjyshërore”.

Në protestë ishin të pranishëm edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie.

Ndërkohë që serbët bëheshin gati për të nisur protestën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përmes një video-adresimi në llogarinë e tij në Instagram, kishte mbështetur thirrjen e tyre duke bërë thirrje që ta ruajnë paqen.