Petkoviq: E rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar bëri presion mbi Kosovën

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka folur lidhur me takimin e djeshëm të zhvilluar në Bruksel, në mes shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borell, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Petkoviq, u shpreh se është e rëndësishme dhe domethënëse që bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar thirrjen dhe kërkesën e presidentit Aleksandar Vuçiq, që Perëndimi të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj Kosovës, me qëllim që të ndalen siç i quan ai “vendimet e çmendura të Albin Kurtit”, raporton KosovoOnline.

“Presidenti Vuçiq ishte i gatshëm për zgjidhje kompromisi. Ne nuk arritëm marrëveshje, sepse Kurti këmbëngulte gjatë gjithë kohës se ai ishte i interesuar vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që ka në qendër të marrëveshjes njohjen reciproke”, tha Petkoviq.

Petkoviq ka përsëritur se Vuçiq ka pranuar disa propozime dhe ka thënë se është i gatshëm të diskutojë gjithçka, propozimin franko-gjerman, por se vija e kuqe që nuk pranohet është që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

Në deklaratën e tij Petkoviq ka folur edhe për bisedimet e Vuçiqit me serbët në Kosovë.

“Ai gjithmonë flet me ta, Serbia është gjithmonë me ta dhe ne nuk do të lejojmë askënd që të persekutojë njerëzit tanë në Kosovë.”, është shprehur ai.