“Peticioni s’është provuar më herët”, udhëzimi administrativ për kryetarët nuk e entuziazmon Uashingtonin

Emisari i posaçëm i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, nuk është shprehur shumë optimist se udhëzimi administrativ i hartuar nga MAPL do të jetë zgjidhje për zgjedhjet e reja në katër komunat në Veri. Ai ka përsëritur deklaratën që e kanë thënë shpesh ndërkombëtarët, se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e shpejtë. Por, sipas ministrit Elbert Krasniqi gjithçka përtej udhëzimit administrativ është kërkesë e Beogradit.

Pasi u vendos se duhet të ketë zgjedhje në katër komunat në Veri, diskutoheshin dy opsione për të organizuar proces të ri – dorëheqjet e kryetarëve aktualë dhe nënshkrimi i një peticioni nga qytetarët në këto komuna. Përderisa dorëheqjet nga ndërkombëtarët cilësoheshin si mënyrë më e shpejtë, nga pushteti duket sikur nuk e patën për nguti, pasi insistonin në peticion, që prej fillimit dihej se do të merrte kohë shumë.

Mirëpo, tashmë është hartuar udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve nga funksioni, që pritet të marrë kohë rreth 100 ditë. Për këtë çështje ka folur emisari amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se mendon që rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhje të reja me pjesëmarrje të serbëve është përmes dorëheqjeve.

Ai shton se peticioni nuk është provuar ndonjëherë më parë, duke theksuar se mungojnë rregullore dhe ligje për këtë.

Escobar deklaroi se janë duke e përcjellur situatën me shumë vëmendje.

“Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Po kërkojmë nga serbët që të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje kur ato të vendoset të mbahen. Se si arrijmë deri aty, është çështje që do të diskutohet mes palëve. Por, gjithsesi besoj se dorëheqjet do të ishin më të shpejtat. Megjithatë, po e përcjellim situatën me shumë vëmendje”, tha ai në një intervistë për VOA.

Pas kësaj deklarate, ka folur edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai sot në një konferencë për media tha se udhëzimi administrativ është proces demokratik dhe gjithçka tjetër është kërkesë e Beogradt.

“Udhëzimi administrativ është proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje, por janë kërkesa të Beogradit. Ato nuk janë kërkesa në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se largimi i kryetarëve bëhet përmes formës që është “shumë demokratike”, përderisa shtroi një pyetje.

“Largimi i tyre mund bëhet përmes formës që është shumë demokratike. Kush mund të garantojë që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje nëse kryetarët japin dorëheqje? Për atë është e rëndësishme të kemi vullnet të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.

Esobarit, një tjetër reagim i erdhi nga deputeti i VV’së, Dimal Basha. Ai ka shkruar se më serioze do të ishte nëse Escobar do të kërkonte dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa arsye që ai ka listuar.

“Nuk i vë sanksione Rusisë; urdhëron dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, Nuk jep përgjegjësi për 3 qytetarë amerikanë të vrarë pas shpine në kohën kur Vuçiq ka qenë Ministër i Propagandës; Kërcënon serbët që kërkojnë të integrohen në Kosovëp; Diskriminon dhe persekuton shqiptarët në Luginë; Bën sabotime të shtetit të pavarur të Kosovës; Refuzon me i respektu marrëveshjet me Kosovën, përfshi këtë të fundit”, ka shkruar Basha, duke shtuar se lista vazhdon.

“Antikushtetues”

Ky udhëzim administrativ, nga njohës të çështjeve juridike, është vlerësuar si “antikushtetues”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se ky udhëzim administrativ është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.

“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, tha Hasani për REL.

Drejtori ekzekutiv i KDI’së, Ehat Miftaraj, disa ditë më parë i ka thënë Expressit se udhëzimi administrativ nuk e plotëson kornizën ligjore duke thënë se në bazë të një analize paraprake IKD vlerëson që udhëzimi nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën.

“Në të vërtetë ky udhëzim administrativ nuk është që e plotëson kornizën ligjore, po flasim për një udhëzim administrativ që është publikuar sot dhe në bazë të një analize paraprake të IKD’së, ky udhëzim administrativ nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën. Sidoqoftë, në ditët në vijim, IKD do të dalë me një qëndrim dhe analizë lidhur me këtë udhëzim”, tha ai.

Ndërsa detaje për udhëzimin administrativ kanë dhënë nga KDI disa ditë para publikimit nga ministri Krasniqi. Ata kanë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.”