Pesë komuna e kanë fituar betejën me Covid-19, Kaçaniku e Istogu do t’i bëjnë ritestimet e fundit

Vitia, Klina, Podujeva, Gjakova e Drenasi, janë komunat që e kanë fituar luftën me koronavirusin. Në këto komuna ka rreth  një muaj që nuk është paraqitur asnjë rast i ri me COVID-19, derisa të gjithë të infektuarit janë shëruar. Ndërkohë, në Kaçanik e Istog sot do të ritestohen të infektuarit e fundit dhe varësisht nga rezultatet do të dihet nëse e kanë fituar betejën me këtë sëmundje apo jo.

Dy komunat në të cilat u konfirmuan rastet e para me COVID-19, tashmë e kanë fituar betejën me këtë sëmundje.

Në Klinë e Viti nuk janë paraqitur raste të reja për më shumë se 25 ditë, derisa të gjithë të infektuarit janë shëruar. Atje nuk ka fare raste aktive me këtë sëmundje.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli ka treguar se rastin e fundit e kanë pasur para gati një muaji.

“Gjendja në Viti është shumë e mirë. Nuk kemi as raste të dyshuara e as raste aktive. Rasti i fundit që është konfirmuar në Viti ka qenë para 26 ditësh”, ka treguar Kadolli.

As në Klinë nuk janë paraqitur raste të reja për më shumë se një muaj.

Rastin e fundit pozitiv e kanë pasur më 18 prill. Aktualisht, atje nuk ka asnjë rast aktiv me koronavirusin e ri.

“Gjendja në Klinë është e mirë. Nuk ka asnjë rast aktiv. Rastin e fundit të konfirmuar e kemi pas më 18 prill. Gjithsej raste i kemi pasur pesë”, ka thënë Drejtori për Shëndetësi, Hekuran Sejdiu.

Përveç Vitisë e Klinës, edhe Podujeva e ka shpallë fitoren ndaj kësaj sëmundje.

Për gjendjen në këtë komunë, ka folur specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit të Emergjencës.

Rama ka thënë se Podujeva është komuna e parë që e ka shpallur fitoren ndaj COVID-19.

Ajo ka treguar se nuk kanë pasur raste të reja atje që nga 20 prilli.

“Nuk kemi pas më raste të reja. Rastin e fundit e kemi pas më 20 prill. Por, kemi raste të dyshuara që vijnë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por që pas testimit po dalin negativ”, ka thënë Rama.

Rama deklaron se gjatë kësaj jave është testuar një i moshuar, i cili ka pasur simptoma të kësaj sëmundje, por se ka rezultuar negative.

“Para tri ditësh, e kemi pas një rast të dyshuar. Një i moshuar, i cili ka pas edhe sëmundje kronike ka pas simptoma, dhe për siguri e kemi udhëzuar për në Klinikën Infektive në QKUK, por që pas testimit ka dal negative. Jemi komuna e parë që e kemi shpallë fitoren ndaj COVID-19”, ka thënë Rama për Express.

Në mesin e komunave që nuk kanë raste aktive me koronavirus është edhe Gjakova.

Drejtori për Shëndetësi në këtë komunë, Ferdinand Kolaj i ka thënë Gazetës Express se rastin e fundit pozitiv e kanë pasur para më shumë se një muaji.

 “Rastin e fundit e kemi pas më 18 prill. Nuk kemi asnjë rast aktiv. Gjithsejt kanë qenë 16 raste, ku prej tyre 15 janë shëruar dhe një shtatzënë ka vdekur”, ka thënë Kolaj.

Komunë tjetër e cila e ka mposhtur këtë sëmundje është edhe Drenasi. Nga kjo komunë kishte rezultuar pozitiv një person, por i cili jetonte në Prishtinë.

Zëdhënësi i kësaj komune, Bekim Dobra i ka thënë Expressit se s’kanë asnjë rast aktiv dhe se nuk janë paraqitur raste të reja.

“Realisht Drenasi vazhdon të mos këtë asnjë rast pozitiv me COVID-19. Rasti i parë i cili ishte konfirmuar në Qendrën e Studentëve, ndonëse ka qenë nga Drenasi me prejardhje, ai ka jetuar, vepruar e punuar në Prishtinë dhe më shumë së një muaj nuk ka qenë në fëmijën e tij në Drenas. Ky person tani është shëruar”, thuhet në përgjigjet e Dobrës.

Drejt shërimit të të gjithë pacientëve po shkon edhe Komuna e Kaçanikut dhe Istogut.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi ka treguar se sot do të ritestohen dy rastet e vetme aktive dhe nëse rezultojnë negativë, qyteti do të mbetet pa asnjë rast.

  “Në Kaçanik që prej kur janë paraqitur rastet e para i kemi pas gjithsej shtatë raste. Përveç dy personave, të gjithë janë shëruar. Edhe këta dy do të ri-testohen sot dhe nëse rezultojnë negative, Kaçaniku mbetet pa asnjë rast”, ka thënë Ilazi.

Edhe i pari i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, ka bërë me dije se sonte do të ritestohet person i vetëm i infektuar atje dhe varësisht nga rezultati do të dihet nëse e kanë kaluar këtë sëmundje.

“Një lajm i gëzueshëm për Istogun. Personi i vetëm që deri më tash ka rezultuar pozitiv me Covid -19 sot ka dalë negativ në ritestimin e parë dhe që presim që edhe nesër në ritestimin e dytë të dal negativ e që Istogu të jetë me Zero Covid”, ka shkruar Osmanaj në Facebook.

Ndërkohë, janë gjithsej gjashtë komuna që nuk e kanë ndjerë prezencën e koronavirusit ende. Graçanica, Juniku, Shtërpca, Novobërda, Parteshi dhe Ranillugu janë gjashtë komuna në Kosovë të cilat nuk kanë regjistruar ende asnjë rast me koronavirus.

Ndryshe, që nga konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri tani janë konfirmuar 1 mijë e 38 raste. Nga këto raste, 791 pacientë janë shëruar, derisa 30 kanë vdekur.