Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka bërë hapjen zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomik për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në TC Kosova A”.

Për këtë tender janë dorëzuar pesë aplikacione, Grupi i Operatorëve Ekonomik SBB Energy S.A; Intering Sh.P.K; Ethos Energy, Kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S, Kompania Golden Concord Group Limited; Grupi i operatorëve Ekonomik KEPCO Plant Service&Engineering Co, LTD;DYPNF Co., Ltd; BHI CO., Ltd dhe Grupi I operatorëve ekonomik HIB Petrol Sh.P.K; Florian Viqa, NTPC Limited.

Ky aktivitet i prokurimit ka qenë i hapur që nga 23 janar i këtij viti. Së fundmi ishte pezulluar pas një ankese të një operatori ekonomik për kritere diskriminuese, por që ankesa ishte hedhur poshtë nga OSHP-ja, duke i hapur rrugë KEK-ut për të vazhduar me procedurat tutje.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aplikimi i pesë kompanive që vijnë nga shtet të ndryshme, dëshmon se po përmbyllet një garë serioze. Ajo ka thënë se kjo dëshmon se ato kanë besuar në këtë proces.

Ajo ka folur edhe për nevojën për investim në këtë njësi të termocentralit Kosova A.

“Ky bllok për dekada të tëra ka punuar në kushte të vështira, shpesh nuk ka pasur kapacitetin teknik që të punojë fare, sepse përtej remonteve të domosdoshme, nuk ka pasur investime serioze që do t’ia rrisnin stabilitetin dhe jetëgjatësinë.  Me këtë investim që po planifikohet dhe po realizohet blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera me një investim nga mjetet vetanake të KEK-ut në vlerë prej 137 milionë euro, do të sjellë përfitime të shumëfishta. Do të prodhojë më shumë nga 130 sa prodhon aktualisht do të prodhojë 215 megavat bruto” , ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka folur edhe për punët tjera në shtim të kapaciteteve të KEK-ut.

Rizvanolli tërthorazi ka përmendur edhe kritikat lidhur me projektin në fjalë që janë bërë së fundmi nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“E kemi parasysh se ju si menaxhment, si punonjës, si bord jeni cak i sulmeve, për të cilat caku përfundimtar nuk jeni ju por janë të natyrës politike të interesave tjera dhe ne e kemi parasysh se kjo e bën nganjëherë punën e juaj më të vështirë, por ne ju falënderojmë që qëndroni në këtë punë dhe e bëni me profesionalizëm dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të mbeteni besnik ndaj KEK-ut, ndaj interesit publik dhe derisa e bëni këtë Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë prapa jush”, ka deklaruar ajo.