Aktivistja

“Përtej varreve, dëgjohej muzika në sfond”, Feride Rushiti rrëfen ngjarjen me familjen Jashari që befasoi edhe ndërkombëtarët

Drejtoresha ekzekutive për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se brutaliteti ndaj familjes Jashari ka qenë moment historik, pasi ndërkombëtarët kishin rastin t’i shohin shumë qartë krimet e Serbisë.

Sipas Rushitit, pas këtij sulmi vëmendja ndërkombëtare u kthye kah Kosova.

“Brutaliteti ndaj kësaj familje për botën ndërkombëtare ka qenë momenti historik me e kthye vëmendjen edhe me pa qartë se si Serbia nuk kursen as fëmijët, as nënat, as të moshuarit, përfshirë edhe që kanë qenë të armatosurit si Adem Jashari dhe të tjerët në konfrontim me forcat serbe”, ka thënë Rushiti në RTV Dukagjini.

“Pas luftës me delegacione të ndryshme më ka rënë shumë shpesh ta vizitoj familjen Jashari. Edhe për mua ishte një lloj befasie që në atë familje për tej që i shihnim varret e radhitura e që pasqyron një dhimbje të madhe, dëgjohej muzika në sfond. Shumë nga ndërkombëtarët na pyetnin si është e mundur, ku është ajo forcë që e gjen kjo familje. Padyshim është forca e familjes Jashari, ata të cilët kishin mbetur gjallë, që të tregonin që ne krenohemi me krejt sakrificën që ka bërë kjo familje”, ka shtuar Rushiti.

Rushiti thotë se familja Jashari u jepte kurajo edhe të tjerëve që jeta duhet të vazhdojë.