Përshëndetet votimi i Pr/ligjit për Simbolet Kombëtare në Mal të Zi

Me 41 vota pro, Projektligji për Simbolet Kombëtare i hartuar nga ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, garanton edhe përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar nga shqiptarët e Malit të Zi, ndërkohë që është fshirë krejtësisht neni 23, për Rendin dhe Qetësinë publike, përmes të cilit sanksionohej përdorimi i flamurit shqiptar.

Duke u bazuar në këtë ligj, vitet e fundit janë gjobitur shumë shqiptarë të Malit të Zi, që kishin përdorur flamurin shqiptar.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat, Mehmed Zenka, tha se miratimi i këtij ligji do të forcojë vlerën multinaconale të Malit të Zi.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ku përshëndet miratimin.

“Përshëndes miratimin në Kuvendin e Malit të Zi të Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare për t’ju garantuar pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe kremtimi i festave të tyre kombëtare. Ky ligj, që priste miratimin që prej vitit 2017 u garanton komunave ku shqiptarët përbëjnë 5% të popullsisë shënimin e festës kombëtare”, shkroi Meta në një postim në Facebook.

Ai këtë e quajti një hap të rëndësishëm në drejtim të respektimit të të drejtave të pakicave dhe në dobi të forcimit të kohezionit social dhe kontributit të tyre në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

“Përgëzime jo vetëm partive politike shqiptare por të gjithë institucioneve në Malin e Zi që kontribuuan në miratimin e këtij ligji të rëndësishëm”, deklaroi në fund presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Edhe ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka përshëndetur këtë vendim, duke thënë se me këtë i garantohet pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe shënimi i festave kombëtare.

“Miratimi i këtij ligji i jep fund praktikës së kushtëzuar të shfaqjes dhe përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare. Ligji garanton gjithashtu shënimin e festës kombëtare në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë 5% te popullsisë. Përgëzime partive politike shqiptare në Malin e Zi, të cilët për një kohë të gjatë kanë insistuar në miratimin e këtij ligji. Një sukses i përbashkët që vjen nga qartësia në avancimin e kërkesave të drejta dhe ndërtimi i koalicioneve largpamëse në Malin e Zi”, tha Bushati, ndërsa uroi që ky shembull të shërbejë si precedent për t’i mundësuar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc përdorimin e simboleve kombëtare dhe arsimimin në gjuhën amtare.