Përse akuzohet Hashim Thaçi?

Nga Blendi Fevziu

Kosova ndodhet sot në një nga momentet më të vështira dhe më problematike të pas pavarësisë së saj.Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Azem Syla dhe drejtues të tjerë të lartë të UÇK – së në vitet 1997 – 1999 dhe politikanë të rëndësishëm të Kosovës së pavarur, nisën sot një betejë të vështirë dhe të gjatë ligjore. Ata duhet të vërtetojnë përpara Gjykatës Speciale, jo vetëm pafajësinë e tyre individuale, por edhe atë të Luftës së Kosovës dhe forcës ushtarako – politike që i takonin në atë kohë.

Po. Kjo është e vërteta e vetme, që nuk duhet ngatërruar me thëniet se lufta e Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, por liderët e saj ishin pis. Hashim Thaçi dhe të tjerë nuk po akuzohen për krime individuale, që janë të dënueshme në çdo kohë e çdo rrethanë, por për linjën e komandimit si drejtues të rëndësishëm politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

Thënë ndryshe, ata po akuzohen për një platformë kolektive dhe të organizuar të krimeve të luftës, që unë jam i bindur që ska ekzistuar kurrë. Po akuzohen, sipas shtypit, me dokumenta të Prokurorisë serbe të Millosheviçit dhe me dëshmitarë ish oficerë policorë që kanë përgjegjësi për ngjarjet e rënda të viteve 1998 – 1999 në Kosovë.

Ata duhet të përgjigjen për luftën e tyre, duke mbrojtur bazën mbi të cilën është ngritur Republika e Kosovës sot.Lufta e Kosovës nuk ishte lufta e një popullsie të shtypur dhe të dhunuar mbi baza etnike! Lufta e Kosovës ishte një shembull i jashtëzakonshëm i rrezistencës; ishte një model botëror se si kurajoja dhe krenaria, mund të dominojnë mbi shtyjen edhe kur kjo duket më e fuqishme. Ajo nuk ishte vetëm lufta e shqiptarëve. Ajo ishte një luftë morale dhe etike, që provokoi një debat të madh botëror. Ishte një luftë të cilën ne e përballëm krah SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Australisë, Zelandës së Re, Hollandës dhe vendeve të tjera, demokratike të botës.

E përballëm si një kauz morale, dhe patëm të drejtë.Una kam bindjen, dhe besoj se këtu bashkohen edhe shumica e shqiptarëve, se UÇK dhe shqiptarët s’kanë pasur kurrë një platformë të organizuar për krime kundër njerëzimit. Kundër civilëve të çdo etnije qofshin ata. Në këto 20 vite gjykata të ndryshme ndërkombëtare kanë gjetur përgjegjësi individuale, por asnjëherë një platformë kolektive kriminale të UÇK – së. Besoj dhe shpresoj që edhe këtë herë do të jetë e njëjtë.Hashim Thaçi nuk po akuzohet as si President i Kosovës, as si ish Kryeministër, as si politikan i mirë apo i keq. Hashim Thaçi po akuzohet se në ditën më të vështirë të vendit të tij zgjodhi ti bashkohet UÇK – së dhe të marrë përgjegjësi politike në të. Zgjodhi të luftojë dhe jo të nënshtrohet. Zgjodhi të ishte fitimtar dhe jo humbës i përjetshëm.

Thaçi dhe të tjerët nuk po gjykohen për atë që janë sot, por për atë që ishin dje. Nuk po gjykohen se janë pjesë e disa formacioneve politike me simpatikë dhe antipatitë e tyre, por se në momentin më të rëndësishëm të historisë së vendit të tyre dhe të gjithë shqiptarëve ishin në anën e duhur të historisë. Po dënohen sepse në murin e varfër të historisë shqiptare, e vendosën UÇK – në dhe luftën e Kosovës si një stoli të rrallë dhe krenare.

Ndaj unë besoj se mirënjohja e shqiptarëve s’do t’ju mungjë kurrë, ashtu si kurajoja për të vërtetuar edhe ligjerisht, së duke akuzuar luftën e një populli, por gabohet sërish.