Përpos Vuk Mirkoviq, Mentor Ferizi përmend edhe emra tjerë që sipas tij ia vranë babain 20 vjet më parë

Mentor Ferizi nga Gjakova është personi i radhës që pas Nysrete Kumnovës përmend emrin e serbit Vuk Mirkoviq të cilin edhe ai beson se ka marrë pjesë në vrasjen e babait të tij, Avni Ferizit më 25 mars 1996.

Mentor Ferizi ka folur ekskluzivisht për Info Magazine duke rrëfyer për gjithë ngjarjen që ka ndodhur atë natë në familjen e tyre.

Madje ai përmend edhe emra të tjerë që i ka identifikuar në aksionin në shtëpinë e tyre ku iu ekzekutua babai. Ai thotë se personi tjetër që ka identifikuar është Dragan Rajçiq.

“Ka qenë fillimi bombardimeve të NATO-së, në lagjen tonë kanë ardh forca paramilitare. Mbi 20 veta janë stacionuar në fillim të rrugës me xhipa dhe autoblinda. Ka qenë ora 10 minuta në tetë. I kanë vendos maskat dhe janë shpërndarë nëpër dy tre rrugë. Kanë filluar plaçkitjet, vrasje dhe djegie të shtëpive. Kjo ka ndodh në 2-3 rrugë. Ata kanë vrarë shumë civil, shumica janë njerëz të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës së UCK, kanë qenë të paarmatosur. Ata thjeshtë kanë kryer krime ndaj civilëve. Këtu kanë qenë serbë, shumica prej tyre lokal me të cilët ne kemi jetuar. Kanë qenë serbë lokalë edhe malazez. Janë futur nëpër të gjitha shtëpitë. Në rastin tonë kanë hyrë me pizgave i kanë thyer dyert. Janë futur 10-15 policë shumica prej tyre të maskuar dhe 2-3 të huaj – rusë mercenarë”, ka thënë Mentor Ferizi për Info Magazine.

“Dy-tre kamë arritur që t’i identifikojë. Janë futur në shtëpi dhe kanë kërkuar që të dalim e gjithë familja. Kemi qenë bashkësisht mbi dhjetë anëtarë, bashkë me vëllain, djemtë e axhës, nuset dhe fëmijët e atyre. Jemi rreshtuar dhe kanë kërkuar që të ikim në Shqipëri. Momentin kur kemi dashtë të dalim jashtë i ndjeri babai im ka filluar të bisedoj me ata se çfarë po duan. Në njërin prej tyre që dyshojmë se është iniciator, Vuk Mirkoviq. Me të kemi pasur një kontest pronësor. I dyshuari kryesor është ai person, që për fat të keq tonin dhe Gjakovës ka pas edhe një radio lokale këtu që i ka shërbyer regjimi të Millosheviqit në atë kohë”.

“Babain e kanë vendos në anën tjetër, kurse gratë dhe fëmijët kanë kërkuar që të dalim jashtë. Nëna ka vendos të kthehet se ta shoh çfarë ka ndodhë me Avniun. Kur është kthyer e ka parë që baba është ekzekutuar me breshëri të kallashnikovit. Ai ka qenë i shtrirë në tokë dhe shtëpia ka qenë duke u djegur. Që ka kryer krime dyshojmë edhe në Dragan Rajqiq”.

Mentor Ferizi ka thënë se në oborrin e tyre 20 vjet më parë kanë qenë edhe dy boshnjak, Branko Bosanac dhe një vëllai i tij si dhe një polic lokal shqiptar, Naser Arifaj.